Lajme

Opozita kërkon shkarkimin e Bordit të ZRRE-së pasi Apeli rrëzoi vendimin për shtrenjtimin e rrymës


Ilustrim

Partitë opozitare të enjten e 19 majit në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, kanë kërkuar që në mënyrë imediate të shkarkohet bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, një ditë pasi Gjykata e Apelit në Kosovë, ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinë, me të cilën ishte pezulluar vendimi i muajit shkurt i ZRRE-së për tarifat e reja të rrymës,.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila fitoi betejën ligjore me ZRRE-në për çështjen e shtrenjtimit të rrymës, ka kërkuar në Kuvend që të shkarkohet menjëherë Bordi i saj.

Sipas shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ZRRE, ka dëmtuar më shumë se 450 mijë familje me vendimin e saj.

“Kjo nuk duhet të tolerohet, deputetët e Kosovës nuk duhet të rrinë duarkryq pas vendimit të Apelit”, ka thënë ai.

E në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës, përveç se ka kërkuar shkarkimin e bordit të ZRRE-së, ka apeluar që qytetarëve t’u kthehen të hollat e paguara për faturat me çmime të ngritura të energjisë elektrike.

Sipas deputetit të LDK-së, Besian Mustafa, pushteti ka kapur bordin e ZRRE-së dhe Korporatës Energjetike të Kosovës.

“ZRRE e ngriti çmimin dhe kompanive të partisë në pushtet iu trashën xhepat. Me dhjetëra herë u kemi dhënë sugjerime si t’i paraprijnë krizës nuk dëgjuan, tash po e kuptojmë pse. Partia në pushtet refuzoi gazin amerikan sepse e kanë ditur që me atë projekt amerikan nuk mund t’i trashin xhepat. Në këto një vit e pak në pushtet keni krijuar krizë pas krize asnjë e menaxhuar. Kërkojmë që urgjentisht tu kthehen qytetarëve mjetet që janë vjedhur”.

Ndërsa për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, do të jetë problematike mënyra e kthimit të parave pas vendimit të Apelit për ZRRE-në.

“Vendimi i fundit i Apelit vërtëton se kauza jonë, kërkesa jonë për të mos ngritur tarifat, kërkesat ndaj ZRrE-së që të mos veprojë me ngritje të rrymës, vërtetoi që është e saktë dhe e drejt. Cili do të jetë veprimi i kthimit të parave të qytetarëve dhe cila do të jetë tarifa ligjore kushtetuese që vjen pastaj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore