Opinione / Editoriale

Një vaksinë për Qeverinë, ju lutem


Bordi Editorial

Aq pak ka besuar qeveria e Kosovës që do të sigurojë ndonjë vaksinë, saqë nuk e ka parë të arsyeshme të hartojë ndonjë plan për vaksinimin, po t’i kishte vaksinat.

Pamjet e grumbullimit të të moshuarve sot, pranë sallës “1 tetori”, në pritje të marrjes së vaksinës shpëtimtare, duken të dhimbshme, por ato shndërrohen në dërrmuese dhe në trishtim të plotë, kur krahasohen me pamje të procesit të vaksinimit në Tiranë.

Krahasimet që gjenden nëpër internet tregojnë dy realitetet – shtetin pa qeverisje në njërën anë dhe qeverisjen e shtetit në anën tjetër.

Sa qesharake ngjanë sot “alternativa” e Lëvizjes Vetëvendosje për Shqipërinë, kur garoi në zgjedhjet e 25 prillit me tre kandidatë – për ta shpëtuar mëmëdheun?

Shumë qesharake.

Por, kjo që ndodhi sot është brenda shinës së njëjtë të trajtimit të pandemisë nga Qeveria Kurti. Trajtim që karakterizohet nga neglizhenca e habitshme, pa asnjë përkushtim, në të gjitha aspektet e angazhimeve që qeveria, e cila premtonte se pandeminë do ta ketë njërin nga prioritet, nuk i ka realizuar: as në sigurimin e vaksinave, as në menaxhimin e atyre pak vaksinave që janë marrë falas, e as në bashkëpunimin me vendet fqinje, si Shqipëria, që ofronin vaksina dhe ndihma konkrete.

Është e pafalshme sidomos indolenca dhe mospërgatitja totale për vaksinim që shkaktoi grumbullime në ditën e sotme, ku u pa se Ministria e Shëndetësisë në të vërtetë as e ka pas të hartuar ndonjë planë dhe mënyrë të menaxhimit në kushtet kur shteti i ka shumë pak vaksina, karshi kërkesave dhe pritjeve shumë të mëdha.

Vendimi që vaksinimi të bëhet në një pikë në Prishtinë, ashiqare tregon jo mos-zbatim të planit, por mos-ekzistim të kurrfarë plani.

Kjo çoj te spontaniteti i grumbullimit të nevojtarëve, shumica në moshë të shtyrë, që me orë të tëra u lanë pa kurrfarë kujdesi!

Dhe, shih pastaj si reaguan instancat përgjegjës: Fajësuan vetë qytetarët! Me një komoditet prej arroganti, ministri Vitia as nuk e vizitoi vendin e ngjarjes dhe u mjaftua me një kumtesë ku faji për grumbullim iu la të ardhurve nga vende tjera!?

Asnjë kampanjë paraprake nuk është bërë për mënyrën e vaksinimit; lajmërime publike se kush dhe si do vaksinohet; udhëzime për moshat; renditjen. Asgjë.

Gjithçka ka qenë improvizim. As reagimet publike nuk i këndellën. U lejua që ata që ishin grumbulluar te hyrja kryesore të futen në sallë, nëpër sedilet e tribunave.

Kryeministri Kurti nuk u bë i gjallë, ai që ministrat i shkarkonte në mesnatë edhe për një fjalë të vetme, të papëlqyeshme për veshin e zotërisë.

Ashtu siç po deklaron edhe për çështjet tjera me rëndësi për mbarëvajtjen e pushtetit të madh që e ka fituar, se, merreni me mend, Qeveria e tij ende nuk është informuar sa duhet për procesin tetëvjeçar të negociatave me Serbinë, të cilin përndryshe e kanë kritikuar tërë kohën.

Tashmë po kuptohet se kritika kishte alternativë brenda, aq sa ka vlerë alternativa pa kritikë – zero.

Gjithçka është improvizim. Sot u pa fotografia, kryefjala është kaosi.

Zhurma e turmës së sotme është – po nuk qe duhet të jetë – tingulli që e prishë melodinë e ndërtuar pa kolonë zanore, por e maskuar vetëm nga ornamentet (lulëzimet) muzikore, të populistëve “patriotë” dhe “të gjithëdijshëm”.


Lajmet kryesore