Opinione / Politikë

Mundet kancelari i ri i Gjermanisë të rilindë të majtën në Evropë?


Katrin Bennhold

Dhjetorin e kaluar, teksa komplotonte atë që shumica e konsideronte përpjekje të pashpresë për t’u bërë kancelar i ardhshëm i Gjermanisë, Olaf Scholz, i ndërpreu përgatitjet e fushatës për një telefonatë viedeo me një filozof amerikan.

Socialdemokrati Scholz donte të fliste me filozofin Michael J. Sandel, profesor të Harvard-it, rreth asaj se pse partitë e qendrës së majtë si e veta kishin humbur votuesit e klasës punëtore.

Dy burrat, kaluan një orë duke diskutuar një temë në dukje të thjeshtë që do të bëhej pjesa qendrore e fushatës Scholz: “Respekt”.

Scholz, ditën e merkurë, do të betohet si kancelari i nëntë i Gjermanisë së pasluftës dhe socialdemokrati i parë në 16 vjet që do të pasojë Angela Merkel-in dhe do të kryesojë një qeveri koalicioni me tre parti.

Duke sfiduar sondazhet dhe ekspertët, ai e udhëhoqi partinë e tij 158-vjeçare nga gremina e parëndësisë në një fitore të pamundur. E tani dëshiron të tregojë se qendra e majtë mund të bëhet sërish një forcë politike në Evropë.

Scholz fitoi për shumë arsye, jo vetëm sepse i bindi votuesit se ishte alternativa më e afërt me Merkel-in, por edhe se mesazhi i tij i respektit bëri jehonë.

Për të parën herë që nga viti 2005, socialdemokratët u bënë partia më e fortë mes klasës punëtore. Pak më shumë se 800 mijë votues që kishin braktisur partinë për të majtën dhe ekstremin e djathtë u kthyen në zgjedhjet e fundit.

“Scholz preku një nerv”, ka thënë Jutta Allmendinger, presidente e institutit kërkimor Qendra e Shkencave Sociale të Berlin-it, WZB dhe eksperte për pabarazinë.

Ajo e njeh Scholz-in për gati dy dekada.

“Shumë e shohin atë si një klon të Merkel-it. Por ai është një socialdemokrat në thelb”, ka vënë në dukje ajo.

Scholz shërbeu si ministër i financave në qeverinë e koalicionit të udhëhequr nga konservatorët e Merkel-it dhe ka premtuar vazhdimësi dhe stabilitet.

Megjithatë, ai synon ta bëjë Gjermaninë një lloj laboratori politik, në përpjekje për të riparuar urën ndërmjet socialdemokratëve dhe klasës punëtore, një përpjekje me paralele me agjendën politike të presidentit Biden në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fitorja e Scholz-it, për qendrën e majtë në Evropë, vjen në një moment kritik.

Përgjatë dekadës së fundit, shumë nga partitë që dikur dominonin politikën evropiane thuajse janë vjetërsuar, në dukje të zhveshura nga idetë dhe të braktisura kryesisht nga baza e tyre e klasës punëtore.

Energjia politike ka qenë në të djathtë, veçanërisht në të djathtën ekstreme populiste, me shumë konservatorë amerikanë që dynden në vende si Hungaria për të studiuar “demokracinë jo-liberale” të Viktor Orban-it, kryeministrit të ekstremit të djathtë të atij vendi.

“Të gjithë po na shohin”, ka thënë Wolfgang Schmidt, këshilltari i vjetër i Scholz-it, të cilin ai e ka zgjedhur për të kryesuar kancelarinë.

“Nëse i bëjmë gjërat siç duhet, kemi një shans real. Nuk duhet të bëjmë gabime, nuk duhet të zhgënjejmë çka pritet”, ka vijuar ai.

Konservatorja Merkel, në vitet e fundit në detyrë, nganjëherë konsiderohej si mbrojtësja e vetme e demokracisë liberale në një epokë të fortësh globalë, qoftë presidenti Vladimir V. Putin i Rusisë apo presidenti Donald J. Trump.

Megjithatë, Gjermania nuk ishte imune ndaj tërbimit populist dhe Alternativës për Gjermaninë, ose ndryshe AfD-në, që fitoi vende në Parlament dhe u bë një forcë politike në vend.

“Shqetësimi më i madh në politikë për mua është se demokracitë tona liberale po vihen gjithnjë e më shumë nën presion”, ka thënë Scholz në faqen e internetit të socialdemokratëve.

“Duhet t’i zgjidhim problemet që të mos na zënë parullat e populistëve”, ka shtuar ai.

Scholz ka udhëtuar shumë në SHBA, duke përfshirë vitet para zgjedhjeve të vitit 2016.

Një nga këshilltarët ka kujtuar se në një bisedë private ai ka parashikuar një fitore të Trump-it. Më pas, ai ka kaluar muaj të tërë duke analizuar pse demokratët humbën dhe duke lexuar një sërë librash nga autorë me prejardhje të klasës punëtore në SHBA, Francë dhe Gjermani.

“Ai ka studiuar me shumë kujdes çka ndodhi në SHBA”, ka thënë Cem Özdemir, anëtar i shquar i të Gjelbërve, i cili është ministër në qeverinë e ardhshme të Scholz-it.

“Ai ka studiuar humbjet e demokratëve në SHBA. Pse nuk fitoi Hillary?”, ka vijuar ai.

Kur vetë partia e Scholz-it u rrëzua në zgjedhjet e vitit 2017, duke humbur për të katërtën herë radhazi, shkroi një artikull të pakursyer duke arritur në përfundimin se një arsye pse socialdemokratët kishin humbur votuesit e tyre kryesorë ishte se nuk kishin arritur t’u ofronin atyre “vlerësim”.

Në mes të bllokimit të parë të COVID-19 vitin e kaluar, Scholz lexoi librin e fundit të profesor Sandel-it, “Tirani e Meritës”, në të cilin filozofi i Harvard-it ka argumentuar se tregimi meritokratik i arsimit si një motor i lëvizshmërisë sociale kishte nxitur pakënaqësi dhe kishte kontribuuar në ngritjen e populistëve si Trump-i.

“Reagimi i kundërt i vitit 2016 shprehu qartë se thjesht t’u thuash njerëzve: ‘Mund t’ia dalësh nëse provon’, nuk ishte një përgjigje adekuate ndaj amullisë së pagave dhe humbjes së vendeve të punës të shkaktuara nga globalizimi”, ka thënë profesor Sandel-i në një intervistë.

“Çka humbën elitat socialdemokrate ishte fyerja e nënkuptuar në këtë përgjigje ndaj pabarazisë sepse çka nënkuptonte ishte se: Nëse po luftoni në ekonominë e re, dështimi juaj është faji juaj”, ka vijuar ai.

Gjatë qeverisë së fundit socialdemokrate në Gjermani, kancelari Gerhard Schröder, shkurtoi përfitimet dhe ndërmori një rregullim të dhimbshëm të tregut të punës nga viti 2003 në 2005.

Kjo, në një përpjekje për të ulur numrin e të papunëve që i kishte kaluar pesë milionë. Scholz, asokohe sekretar i përgjithshëm i partisë, u bë fytyra publike e ndryshimeve.

Papunësia ra gradualisht, por programi gjithashtu ndihmoi në krijimin e një sektori të gjerë me paga të ulëta dhe bëri që shumë votues të klasës punëtore të largoheshin nga socialdemokratët.

Profesor Sandel ka argumentuar se pikërisht në këtë kohë, partitë e qendrës së majtë, duke përfshirë demokratët e presidentit Bill Clinton, përqafuan triumfalizmin e tregut të së djathtës.

Ata u identifikuan më nga afër me vlerat dhe interesat e të mirë-arsimuarve dhe filluan të humbin kontaktet me votuesit e klasës punëtore.

Scholz, dikur një socialist i ri i zjarrtë, i cili iu bashkua partisë së tij si adoleshent, mbrojti punëtorët si avokat i punës në vitet 1970 përpara se të shndërrohej gradualisht në një centrist post-ideologjik.

Sot, ai konsiderohet të jetë në të djathtë të pjesës më të madhe të bazës së partisë, jo ndryshe nga Biden-i, me të cilin ndonjëherë krahasohet, edhe pse ngjashëm si ai, ka shfaqur disa reflekse liberale.

“Ai ishte një idealist në rininë e tij, më pas u bë teknokrat dhe madje edhe një hiperteknokrat, por mendoj se mund të bëhet sërish më radikal, në një moshë më të vonë”, ka thënë Kevin Kühnert, një figurë e shquar në të majtën e socialdemokratëve.

Gjatë pandemisë, Scholz, atëherë ministër i financave, u bëri përshtypje kritikëve në të majtë kur lëshoi ​​qindra miliarda euro ndihmë shtetërore për të ndihmuar punëtorët dhe bizneset në vështirësi.

Nga ana tjetër, pandemia theksoi se si ata që papritmas konsiderohen thelbësorë – infermierët dhe punonjësit e kujdesit social, por edhe pastruesit, arkëtarët e supermarketeve dhe punonjësit e dërgesave – shpesh nuk paguhen shumë.

“Pandemia ka treguar se mbi shpatullat e kujt është ndërtuar shoqëria jonë, kush punon shumë dhe ende përfiton shumë pak nga një rritje ekonomike”, u ka thënë Scholz gazetarëve gjatë fushatës.

Tanimë, Scholz do të drejtojë një qeveri tre-partiake me të Gjelbërit përparimtar dhe Demokratët e Lirë Libertarian.

Traktati i tyre qeverisës kërkon rritjen e pagës minimale me 12 euro, ose rreth 13.50 dollarë në orë, nga 9.60 euro sot, e cila është një rritje e menjëhershme e pagave për afro 10 milionë njerëz.

Gjithashtu Scholz ka premtuar të ndërtojë 400 mijë shtëpi në vit, 100 mijë më shumë se sa ishte planifikuar më parë, por edhe garantimin e niveleve të qëndrueshme të pensioneve.

Më abstrakt, por po aq i rëndësishëm, është premtimi për një tjetër “revolucion industrial” që do të synojë ta bëjë Gjermaninë një fuqi prodhuese për epokën neutrale ndaj karbonit dhe të sigurojë themelin ekonomik për shtetin e mirëqenies të së ardhmes.

“Duhet t’u themi njerëzve dy gjëra. Së pari, se ne kemi nevojë për respekt, kemi nevojë për pagë të mirë dhe vlerësim të duhur për punën. Dhe së dyti, duhet të sigurohemi që të ketë punë të mira në të ardhmen”, ka pohuar Scholz gjatë fushatës.

Socialdemokratët, në të gjithë Bashkimin Evropian, qeverisin në nëntë nga 27 shtetet anëtare dhe mësimet nga Gjermania tashmë po rezultojnë me ndikim.

Në Francë, kryetarja socialiste e Paris-it, Anne Hidalgo, e cila kohët e fundit ka shpallur ofertën e saj presidenciale, ka ngjallur temën e “respektit”.

Mirëpo, sloganet deri këtu shkojnë.

Socialdemokratët dolën të parët në votimin e ndarë të shtatorit në Gjermani, por mblodhën vetëm 26 për qind të totalit, shumë larg nga 40 për qind që shënuan në fillim të mandatit të parë të Schröder-it.

Kühnert, sekretari i përgjithshëm i partisë, ka thënë se sfida e Scholz-it është të tregojë se modeli socialdemokrat është qasja e duhur për vendin dhe më gjerë.

“Shpresojmë që fitorja jonë e zgjedhjeve në Gjermani do të dërgojë një sinjal për ringjalljen e socialdemokracisë ndërkombëtare. Po shohim mbi të gjitha nga pjesa tjetër e Evropës, sepse duhet të forcojmë BE-në në vitet e ardhshme nëse duam të kemi diçka për të thënë në botë në vitet e ardhshme”, ka theksuar Kühnert.

 

Marrë nga “The New York Times”.


Lajmet kryesore