Opinione / Politikë

Amerika drejt zgjedhjeve të nëntorit


Në vitin 2024 shumica e popullsisë së planetit do të shkojë në votime në vende të ndryshme nga Tajvani në Indi, nga Rusia në Bashkimin Evropian deri në Shtetet e Bashkuara. Elementi që i bashkon është konfrontimi midis liderëve politikë që mbrojnë demokracinë dhe atyre që e kundërshtojnë atë, duke e konsideruar një sistem dekadent, të korruptuar dhe humbës.

Ndër këto zgjedhje pa dyshim e një rëndësie relevante është  ajo presidenciale e 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

Zgjedhjet e presidentit të ardhshëm amerikan mund të ndryshojnë ekuilibrin botëror, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Ndaj pa dyshim janë ato më të ndjekurat.

Në tre ditët e fundit dueli i fjalimeve mes presidentit amerikan Biden, kandidat për rizgjedhje, dhe paraardhësit të tij Trump, kandidat për nominimin republikan, ka qenë fillimi i një ndeshjeje që do të vazhdojë.

Kjo ndeshje, në koincidencë me përvjetorin e 6 janarit 2021, ditën në të cilën ndjekësit e Trump sulmuan Kongresin në Kapitol Hill për të penguar ratifikimin e zgjedhjes së Biden, ve në dukje shumë qartë temën qendrore: atë të mbrojtjes së vlerave demokratike, që përbëjnë themelin e botës së lirë.

Ishte Presidenti Joe Biden ai që hapi sfidën, duke folur nga Blue Pell në Pensilvani. Biden përkujtoi përvjetorin e tretë të kryengritjes duke u kujtuar amerikanëve se si Trump nxiti turmën e dhunshme, u përpoq të pengonte transferimin paqësor të pushtetit dhe sot përshëndet përgjegjësit për ato trazira, duke i quajtur ata “heronj” dhe duke u premtuar se do t’i falte nëse do të zgjidhej President.

Biden do të kujtojë shembullin e Xhorxh Uashingtonit, i cili në 1777 gjeti forcën për të mposhtur Perandorinë Britanike dhe për të fituar Revolucionin Amerikan në Valley Forge. Por, pasi e kishte arritur objektivin “ai zgjodhi të mos bëhej mbret” dhe preferoi ta kufizonte presidencën në dy mandate “për të mbizotëruar idenë se demokracia u përket të gjithë qytetarëve dhe në këtë ajo ndryshon nga monarkia”.

Mbi 246 vjet që nga ajo kohë, është mesazhi i Biden për Amerikën, sfida mbetet e njëjtë sepse “shenjtëria e demokracisë është në rrezik” pasi “Trump është i gatshëm ta sakrifikojë atë për të fituar dhe mbajtur pushtetin” dhe kujtoi se si Trump premtoi të ishte “diktator, por vetëm për një ditë” dhe se donte të niste një fushatë “hakmarrjeje” në shkallë të gjerë.

Biden kritikoi Trumpin edhe për admirimin ndaj Vladimir Putinit dhe për përdorimin e retorikës së Adolf Hitlerit.

Në zgjedhjet afatmesme të vitit 2022, shumica e votuesve republikanë nuk i dhanë votat e tyre për kandidatët pro-Trump për Kongresin në Uashington. Është pikërisht këtij elektorati të moderuar, qendror, të pavarur, tradicional konservator që Biden në fakt i bën thirrje për t’u bashkuar me demokratët duke krijuar “një koalicion për demokracinë në Amerikë”.

Pavarësisht humbjes së 90 proceseve gjyqësore për vlefshmërinë e rezultatit të vitit 2020, Trump edhe ai nga ana e tij, akuzon Biden si një “kërcënim për demokracinë” duke e identifikuar atë si simbolin e “korrupsionit, paaftësisë dhe dështimeve”.

Synimi i Trump është që ai të vlerësohet, me forcën e votës, mbi të gjitha ligjet dhe rregulloret, në mënyrë që të ketë dorë të lirë në ushtrimin e një pushteti ekzekutiv të pakufizuar.

Strategjia është e qartë. Trump i kthen akuzat mbrapsh ndaj Bidenit, duke shtuar se vetëm ai ka aftësinë “ta bëjë Amerikën përsëri të madhe”. “Ne jemi në betejën përfundimtare: do të rrënojmë shtetin e thellë, do të dëbojmë luftënxitësit nga qeveria, do të dëbojmë globalistët, komunistët, marksistët dhe fashistët, do të eliminojmë klasën e sëmurë politike që urren vendin tonë”.

Me sa duket strategjia e Trump funksionon. Sipas Washington Post, manovra e Trump drejt kësaj strategjie ka arritur të përmbysë perceptimin e 6 janarit, të paktën mes mbështetësve  të tij. Sot vetëm 18% e republikanëve besojnë se protestuesit ishin të dhunshëm, 14% e konsiderojnë Trump-in përgjegjës për sulmin ndaj Kongresit dhe 34% akuzojnë FBI-në se e ka organizuar atë për të shkatërruar Trump.

Sipas CNN, Donald Trump është përpara në 28 shtete për një total prej 272 votash të kolegjit elektoral, dy më shumë se fitorja.

Biden është njeri i pushtetit dhe pallatit të politikës. Ai hyri atje në vitin 1972, në moshën 29 vjeçare si një nga senatorët më të rinj në histori (në të njëjtin vit kur humbi gruan e tij të parë dhe vajzën e vogël në një aksident me makinë) dhe nuk ka dalë më, duke u bërë Presidenti më i vjetër në moshë.

Kurse Trump nuk ka qenë kurrë njeri i politikës. Ai arriti të jetë President i SHBA-ve pa kaluar kurrë nga Parlamenti, apo pa qenë asnjëherë guvernator dhe faktikisht mbështeti sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021. Baza e tij elektorale përçmon qeverinë federale, politikën, institucionet.

Fenomeni Trump pasqyron polarizimin e Amerikës së ndarë, më shumë se kurrë. E djathta është gjithmonë më e djathtë, dhe e majta e Ocasio-Cortez është gjithnjë më radikale sidomos përsa i përket anës ideologjike-kulturore.

Trump dhe problemet e tij ligjore

Zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 do të ndikohen në mënyrë të pashmangshme nga çështjet gjyqësore në të cilat është përfshirë Donald Trump. Aktualisht, ish-presidenti është i përfshirë në katër çështje gjyqësore: ai akuzohet për falsifikimin e llogarive, për vjedhjen dhe marrjen me vete në banesë dokumente të klasifikuara, për ndërhyrje në zgjedhjet në shtetin e Xhorxha-s dhe së fundi për komplot kundër Shteteve të Bashkuara duke u përpjekur për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Ky i fundit është padyshim më i rëndësishmi për zgjedhjet e ardhshme amerikane, pasi Trump akuzohet se ka pasur rol në sulmin ndaj Kongresit më 6 janar 2021.

Avokatët e Trump argumentojnë se ai gëzonte imunitet presidencial në kohën e fakteve dhe për këtë arsye nuk mund të gjykohet për akte të kryera gjatë mandatit të tij. Por prokuroria, e përfaqësuar nga konsulenti special Jack Smith, po përpiqet të përshpejtojë procesin e gjykimit duke përmendur natyrën e jashtëzakonshme të çështjes si arsye.

Megjithatë, zhvillimet e fundit shohin që Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e prokurorisë. Me shumë gjasë ajo do të kërkojë të zvarrisë sa më shumë procesin e gjykimit për të mos lejuar që çdo lloj dënimi të ndodhë përpara datës së zgjedhjeve të ardhshme.

Ndërkohë Gjykata e Kolorados, vendosi që ngjarjet e 6 janarit dhe sulmi në Kapitol Hill duhet të konsiderohen si kryengritje në të gjitha aspektet duke i hequr mundësinë Donald Trump për të qenë në listë si kandidat presidencial. Ky aspekt është komplet i ri dhe ka shumë të ngjarë që Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara t’i kërkohet të shprehë mendimin e saj për këtë çështje, duke vendosur në nivel federal nëse Trump mund të zgjidhet apo jo.

Megjithatë, tre vjet pas kryengritjes së 6 janarit 2021 dhe në fillim të fushatës zgjedhore presidenciale 2024, pavarësisht llojeve të ndryshme të krimeve për të cilat ai akuzohet, Trump është më popullor se kurrë.

Pyetja që lind spontanisht është: Si është e mundur?

Ekonomia po ecën shumë mirë, por Trump akuzon Bidenin për inflacionin. Mision i lehtë përballë çmimeve në rritje, veçanërisht kur i drejtohesh një auditori të painformuar.

Pothuajse gjysma e 74 milionë votuesve të Trumpit në 2020  përbëjnë bërthamën e njerëzve më pak të arsimuar, të prirur të besojnë në teoritë e konspiracionit dhe që adhurojnë individin, më shumë se një parti politike. Ndaj çfarëdo akuze kundër Trump, nuk ngjiz tek ky grup. Gjysma tjetër e votuesve të Trump janë klasa e mesme e periferive të cilët historikisht votojnë republikanë.

Trump duket si shëmbëlltyrë e shoqërisë së sotme amerikane. Për shembull, sipas Institutit jofitimprurës të Kërkimit të Fesë Publike dhe Institutit Brookings, pothuajse një në katër amerikanë beson se dhuna politike mund të justifikohet për të “shpëtuar” vendin. Një në tre republikanë beson se “patriotët e vërtetë amerikanë” mund të duhet të përdorin dhunën për të njëjtin qëllim. Dy të tretat e votuesve republikanë besojnë se zgjedhjet e vitit 2020 ishin të manipuluara. Një e treta e të gjithë amerikanëve nuk janë të bindur se Joe Biden është presidenti legjitim.

Në sondazhet e fundit, Trump po ecën dukshëm më mirë se Biden në mesin e votuesve të rinj amerikanë, pakicave hispanike dhe votuesve myslimanë. Për më tepër, Trump çuditërisht mori gjithashtu vota dhe mbështetje nga elektorati afrikano-amerikan dhe me sa duket ligji kundër abortit nuk duket se ka krijuar efekte kundër tij.

Sa rëndësi ka për votuesit kryengritja e 6 janarit?

Nga ajo që shihet nuk duket të ketë shumë. Trump mbetet kandidat që përçmohet, por Joe Biden nuk tërheq.

Rreziqet kryesore për Trump vijnë qartësisht pra nga katër gjyqet penale që e presin. Më 4 mars në Uashington për sulmin e 6 janarit, në fund të marsit në Nju Jork për paratë e paguara për pornostar-en Stormy Daniels, në maj në Florida për dokumentet sekrete të vjedhura në Mar a Lago, në gusht në Xhorxha për përpjekjet për të përmbysur rezultatet presidenciale.

Mbështetja ndaj tij mund të ndryshojë në votën e nëntorit, sepse një e katërta e republikanëve sipas sondazheve thonë se do ta braktisnin nëse do të dënohej.

Pikërisht për të shmangur këtë, Trump përdor apelimet me qëllim shtyrjen e gjyqeve deri pas votimit, kur nëse ai rizgjedhur do të jetë në gjendje të anulojë të paktën procedurat federale.

Të martën, Gjykata e Apelit në Uashington do të dëgjojë pretendimin e tij për imunitet të plotë si ish-president, ndërsa më 8 shkurt Gjykata e Lartë do të diskutojë vendimin e Kolorados që e skualifikoi atë nga zgjedhjet për pjesëmarrje në një kryengritje.

Parashikimi është që Gjykata e Lartë do të jetë në favor të Trump duke marrë parasysh që aktualisht gjashtë nga nëntë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë janë konservatorë dhe tre janë emëruar nga vetë Donald Trump gjatë kohës që ishte president.

Për më tepër, nëse vendimi i marrë nga Gjykata e Kolorados mbetet i izoluar, nuk ka gjasa që ai të komprometojë kandidaturën e Trump, pasi Kolorado nuk është një shtet kyç zgjedhor.

Një skenar tjetër mund të shpaloset, megjithatë, nëse gjykatat e tjera ndjekin shembullin e Kolorados.

Rezultati i apelit të bërë nga vetë Trump në lidhje me imunitetin e tij presidencial mbetet gjithashtu për t’u përcaktuar, një apel që nëse pranohet, mund të çojë në rënien e disa prej akuzave kundër Trump.

Fitorja e tij në Iowa është pothuajse e marrë. Ka zëra se pas Floridës guvernatori DeSantis do të tërhiqet, duke kaluar në mbështetje të Trump.

Prandaj, mbetet vetëm shpresa që Nikki Haley të jetë në gjendje ta ngadalësojë atë në New Hampshire. Më pas, përndryshe, mbetet i vetëm sfidues me Biden.

Zgjedhjet amerikane premtojnë të jenë plot surpriza dhe siç u pa shumë varet nga mënyra se si do të evoluojnë ngjarjet gjyqësore rreth ish-presidentit Donald Trump.

Presidenti i ardhshëm i SHBA-ve do të duhet të vendosë nëse do të vazhdojë të mbështesë Kievin në luftën e tij kundër Rusisë ose të kërkojë një marrëveshje me Vladimir Putin. Por jo vetëm kaq. Do të duhet të adresojë edhe shumë çështje të tjera ndërkombëtare, duke përfshirë Lindjen e Mesme të sapo destabilizuar dhe hapat me Republikën Popullore të Kinës, kërcënimet e së cilës kundër Tajvanit vazhdojnë të rriten.

Për më tepër, ka të ngjarë që fushata elektorale të mbartë edhe peshën e kritikave të fundit të bëra ndaj Biden për sjelljen e tij në politikën e jashtme në lidhje me operacionin izraelit në Gaza, si dhe “lodhjen e luftës” nga opinioni publik perëndimor ndaj mbështetjes së Kievit.

Imigracioni, burim destabilizimi në politikat në të dy anët e Atlantikut, do të vazhdojë të jetë në qendër të debatit politik si në Evropë ashtu edhe në Amerikë.

Gjithsesi gjithçka që ndodh në SHBA nuk do të ketë pasoja vetëm brenda kufijve të tyre, por do të prekë mbarë botën.


Lajmet kryesore