Lajme

Operacioni në Siri: Forcat turke po presin urdhrat nga Ankaraja


Forcat e Armatosura të Turqisë dhe luftëtarët sirianë të mbështetur nga Turqia kanë përfunduar përgatitjet dhe janë në pritje të urdhrave nga Ankaraja për të filluar një operacion ndërkufitar në veri të Sirisë.

Lajmin e bëri të ditur gazeta vendase “Sabah”.

Turqia planifikon të pushtojë digën Tabqa, më e madhja në Siri.

Kjo, për të siguruar furnizimin me ujë dhe energji elektrike në rajonet e Sirisë, ku Turqia më parë mbajti operacionin ushtarak “Mburoja e Eufratit”, shkruan Sabah.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të enjten se shpresonte që aleatët e Ankarasë do të “kuptojnë dhe respektojnë” operacionin e shpallur prej saj kundër militantëve kurdë në Sirinë veriore.

Washington-i zyrtar denoncoi më herët ofensivën e planifikuar.

Ankaraja ka kërcënuar për javë të tëra se do të shënjestrojë Njësitë e Mbrojtjes së Popullit Kurd (YPG) në Sirinë veriore, të cilësuara si një “grup terrorist” nga Turqia.

Në fillim të qershorit, presidenti turk rinovoi premtimin, duke shkaktuar paralajmërime nga SHBA-të dhe Rusia për t’u përmbajtur.

Ai përsëriti vendosmërinë e Turqisë për të krijuar një “zonë të sigurt” brenda Sirisë pranë kufirit turk.

Komentet vijnë një ditë pasi aleati i Turqisë në NATO, SHBA rinovoi paralajmërimet kundër operacionit, i cili beson se rrezikon destabilizimin e rajonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore