Shqipëria

Operacion antidrogë në Korçë, arrestohen dy persona


Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve ka përmbyllur operacionin antidrogë të koduar “Epilogu”, me arrestimin e dy personave.

Këta të fundit, ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta në lagjen nr. 10, Korçë.

Autoritetet kanë sekuestruar 129,2 gram kokainë, 2050 euro, një sasi prokusori (përzierësi) dhe një automjet.

Shtetasi me iniciale E. A., 41 vjeç, banues në Korçë dhe shtetasi A. D., 44 vjeç, banues në Elbasan, u arrestuan të dy në flagrancë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e marrë në përdorim nga shtetasi E. A., në të cilën ndodhej edhe shtetasi A. D., u gjet 90.2 gram lëndë narkotike e dyshuar kokainë, 120.2 gram prokusor (përzierës) dhe 1 peshore elektronike.

Gjithashtu gjatë kontrollit fizik të shtetasit E. A., si edhe në mjetin e tij tip “Volkswagen Golf”, iu gjetën pesë doza me peshë 1.4 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Në vijim të veprimeve të mëtejshme procedurale, u ushtrua kontroll edhe në banesën e shtetasit A. D., në qytetin e Elbasanit, ku u gjet 37.6 gram lëndë e dyshuar kokainë.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore