Lajme

‘Omicron mund të përhapet më shpejt në Angli sesa në Afrikën e Jugut’


Varianti Omicron mund të përhapet më shpejt në Angli, sesa në Afrikën e Jugut.

Është ky përfundimi i një këshilltari të lartë shkencor, i cili paralajmëroi se varianti ishte një “pengesë shumë e rëndë” ndaj shpresave për të vënë nën kontroll pandeminë.

Epidemiologu në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër dhe anëtar i Grupit Këshillimor Shkencor të Qeverisë për Emergjencat (Sage), John Edmunds, tha se masat e planit B të shpallura nga kryeministri nuk ishin “absolutisht një reagim i tepruar” edhe nëse Omicron rezultoi të jetë më pak infektues se varianti aktual dominues.

Edmunds tha në një webinar të Shoqërisë Mbretërore të Mjekësisë

Të enjten ai tha se ishte “jashtëzakonisht e mundshme” se kishte shumë më tepër raste të Omicron në komunitet, sesa ato të konfirmuara nga testimi.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar identifikoi 249 raste të tjera të Omicron të enjten, pothuajse dyfishi i numrit të njoftuar një ditë më parë, duke e çuar totalin e Mbretërisë së Bashkuar në 817.

Edmunds tha se, nëse MB kishte 1 mijë raste sot, atëherë një kohë dyfishimi prej dy deri në tri ditë do ta çonte numrin deri në 8 mijë në një javë dhe 64 mijë në dy javë. Ato do të vijnë në krye të valës së vazhdueshme të infeksioneve Delta.

“Askush nuk dëshiron që të rivendosë këto masa. Është shumë e dëmshme për pjesë të ekonomisë”, tha ai.

“Me shpejtësinë e përhapjes së këtij virusi, mund të kemi një numër vërtet të konsiderueshëm rastesh deri në Krishtlindje”, shtoi Edmunds.

Paralajmërimi erdhi pasi qeveria raportoi 50 mijë e 867 raste të tjera ditore me COVID-19, 813 të tjera pranime në spital dhe 148 vdekje të enjten, duke shënuar rritje në të gjitha masat gjatë javës së kaluar.

Një javë më parë, këshilltari i qeverisë për shkencën, paralajmëroi se është “shumë vonë” për të ndaluar në mënyrë efektive përhapjen e variantit Omicron në Mbretërinë e Bashkuar.

Profesor Mark Woolhouse, i cili është anëtar i Grupit Shkencor të Influencës Pandemike për Modelim (Spi-M), i cili këshillon Qeverinë, tha se masat nuk do të bënin një “ndryshim material” pasi varianti tashmë “po përhapet mjaft shpejt”.

“Nëse Omicron është këtu në MB dhe sigurisht që është, nëse ka transmetim në komunitetit, ai transmetim i komunitetit do të nxisë një valë tjetër”.

Ndër të tjera, ai theksoi se “rastet që po importohen janë të rëndësishme, ne duam të zbulojmë dhe të izolojmë çdo rast pozitiv që konstatojmë”.

“Mendoj se është tepër vonë për të bërë një ndryshim material në rrjedhën e valës Omicron, nëse do të kemi një të tillë”.

 

Industria e udhëtimeve reagoi pas shpalljes së masave të fundit, pavarësisht se ministrat këmbëngulën se ato ishin “të përkohshme”.

Zëvendëskryeministri Dominic Raab në një emision televiziv tha se “e di që është një barrë për industrinë e udhëtimit, por ne kemi bërë përparime të mëdha në vend”.

“Duhet të marrim masat e synuara mjeko-ligjore për të ndaluar përhapjen e variantit të ri”.

Woolhouse tha se, megjithëse numri i njerëzve me variantin Omicron është “ende mjaft i vogël” dhe ka të ngjarë të mbetet në qindra, ata “po rriten mjaft shpejt”.

Megjithatë, këmbënguli se vaksinimet do të jenë ende “shumë të mira” në mbrojtjen kundër variantit të ri.

Profesori i statistikës, David Spiegelhalter, tha se “është një situatë shumë e vështirë. Ne nuk kemi ende shumë të dhëna, pothuajse asgjë për rreziqet”.

Varianti i ri COVID, i zbuluar më 26 nëntor, mbart një “numër jashtëzakonisht të lartë” mutacionesh dhe mund të nxisë valë të mëtejshme sëmundjesh.

I quajtur B.1.1.529,  varianti i ri numëron 32 mutacione në proteinën spike, pjesa e virusit që përdorin shumica e vaksinave për të nxitur sistemin imunitar kundër COVID-it.

Mutacionet në proteinën spike mund të ndikojnë në aftësinë e virusit për të infektuar qelizat dhe përhapjen, por gjithashtu e bëjnë më të vështirë për qelizat imune të sulmojnë patogjenin.

Për herë të parë, varianti u zbulua në Botsvana, më pas në Afrikën e Jugut dhe në Hong Kong. Gjatë ditëve të fundit, “Omicron” është zbuluar në disa vende të Bashkimit EvropianSHBA dhe Kanada.

Varianti i ri ka nxitur Britaninë e Madhe, Bashkimin Evropian dhe SHBA-të të ndalojnë udhëtimet në vendet e Afrikës Jugore, një vendim i kritikuar nga Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore