Lajme

“Omicron” në SHBA, Biden: Vendi nuk do të mbyllet


Presidenti amerikan Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden e ka quajtur variantin “Omicron” të COVID-19 një “shkak për t’u shqetësuar, jo shkak për panik” – një ditë pasi u zbulua në Amerikën e Veriut.

Ai tha se nuk e sheh nevojën për një bllokim të ri “për momentin” nëse njerëzit janë të vaksinuar dhe mbajnë maskat mbrojtëse.

Rastet janë gjetur në Kanada dhe SHBA-të kanë vendosur ndalime udhëtimi në tetë vende të Afrikës Jugore.

Biden shtoi se kompanitë farmaceutike po bënin plane emergjente për injektime të reja nëse ato nevojiten.

3

Në Shtëpinë e Bardhë të hënën, presidenti tha se ishte “pothuajse e pashmangshme që “Omicron”, i raportuar për herë të parë nga Afrika e Jugut, të gjendej përfundimisht në SHBA.

“Ne do të luftojmë dhe do ta mposhtim këtë variant të ri”, tha ai.

Në fund të javës së kaluar, SHBA-të njoftuan një ndalim të fluturimeve nga Afrika e Jugut, Botsvana, Zimbabve, Namibia, Lesoto, Eswatini, Mozambiku dhe Malavi. Kanadaja, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian dhe vende të tjera kanë kufizuar gjithashtu udhëtimet nga Afrika e Jugut.

Të dielën, Kanadaja tha se varianti “Omicron” ishte zbuluar në dy pacientë që kishin udhëtuar së fundmi në Nigeri. Një rast i tretë u njoftua të hënën.

Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka konsideruar “Omicron” një “variant shqetësues” dhe ende nuk dihet nëse është lehtësisht i transmetueshëm apo më shumë rrezik për shmangien e vaksinave.

Kritikët vunë në dukje se Biden akuzoi ish-presidentin republikan Donald Trump për “ksenofobinë histerike” pasi ai kufizoi udhëtimin nga Kina në janar 2020 pasi coronavirus-i u përhap në SHBA.

Guvernatori republikan i Floridës Ron DeSantis hodhi poshtë kufizimet e fundit të fluturimit si një “reagim i pamenduar”. Shteti ka ndërmarrë hapa për të ndaluar mandatet e vaksinave dhe maskave ndaj COVID-19 në muajt e fundit.

“Në Florida, ne nuk do t’i lëmë ata t’ju mbyllin. Nuk do t’i lëmë ata t’ju marrin punën. Nuk do t’i lëmë t’i dëmtojnë bizneset tuaja. Nuk do t’i lëmë t’ju mbyllin shkollat”, tha DeSantis.

Ndërsa Presidenti demokrat i SHBA-ve iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë maskat, por ai vetë është kritikuar për shkeljen e rregullave.

Ai u fotografua pa një maskë gjatë fundjavës së Falënderimeve, ku ai qëndroi në Nantucket, Massachusetts – në një pikë brenda një dyqani që kishte një shenjë në dritare që kërkonte që klientët të mbanin maska për fytyrën.

Zonja e Parë Jill Biden u kritikua gjithashtu të hënën teksa u shfaq në Shtëpinë e Bardhë pa maskë, duke lexuar para një grupi nxënësish të cilët ishin të gjithë të maskuar dhe të distancuar nga shoqëria.

Më herët të hënën, një gjykatës federal bllokoi administratën Biden nga zbatimi i një mandati të vaksinës kundër coronavirus-it për mijëra punonjës të kujdesit shëndetësor në dhjetë shtete.

Gjykatësi shkroi se zyrtarët e qeverisë me gjasë kishin tejkaluar kompetencat e tyre ligjore.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa

Një gjykatë tjetër në fillim të këtij muaji vendosi një rregull të veçantë që u kërkonte bizneseve me më shumë se 100 punonjës të siguronin që punëtorët e tyre të vaksinohen.

Nga ana tjetër presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, nëpërmjet një video-mesazhi ka dënuar ndalimet e udhëtimit të miratuara kundër vendit të tij dhe fqinjëve të tij për shkak të variantit të ri të coronavirus-it “Omicron”.

Ramaphosa tha se ishte “thellësisht i zhgënjyer” nga veprimi, të cilin e përshkroi si të pajustifikuar dhe bëri thirrje që ndalimet të hiqen urgjentisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore