Lajme

COVID-19/Konfirmohen raste të variantit “Omicron” në katër shtete evropiane, bien tregjet financiare


Katër shtete evropiane konfirmuan ditën e shtunë raste të variantit të ri të coronavirusit, Omicron, teksa ngjarja ka shkaktuar një rënie të tregjeve financiare si pasojë e një frike për destabilizim të ekonomisë globale.

Britania, Gjermania, Italia janë ndër shtetet që njoftuan raste të Omicron-it, pavarësisht vendosjes së kufizimeve të fluturimeve me Afrikën e Jugut.

Britania lajmëroi se, zbuloi dy raste të mutacionit Omicron, teksa kryeministri Boris Johnson njoftoi hapa të rinj për të përmirësuar situatën.

Ministria e shëndetësisë në shtetin gjerman të Bavarisë konfirmoi gjithashtu dy raste të variantit, menjëherë pasi autoritetet lajmëruan disa raste të dyshura.

“Dy personat hynë në Gjermani në aeroportin e Munich-ut më 24 nëntor, përpara se Gjermania të caktonte Afrikën e Jugut si një zonë të variantit të virusit dhe tani po izolohen”, tha ministria pa treguar qartë se njerëzit kishin udhëtuar nga Afrika e Jugut.

Autoritetet shëndetësore holandeze thanë të shtunën se kishin zbuluar 61 raste COVID-19 midis njerëzve që fluturuan nga Afrika e Jugut të premten dhe thanë se të paktën disa infeksione janë të variantit të ri Omicron.

Sipas tyre, rastet u zbuluan mes 624 pasagjerëve që mbërritën në aeroportin Schiphol të Amsterdamit të premten, përpara se qeveria holandeze të kufizonte trafikun ajror nga Afrika e Jugut.

Në Itali, Instituti Kombëtar i Shëndetit njoftoi se, një rast i variantit të ri ishte zbuluar në Milano tek një person që vinte nga Mozambiku.

Autoritetet shëndetësore çeke bënë gjithashtu me dije se, po shqyrtonin një rast të dyshuar të variantit në një person që kishte udhëtuar kohët e fundit në Namibi.

Varianti i ri ka goditur tregjet globale

Zbulimi i variantit ka ngjallur shqetësim global, me shumё shtete, pёrfshirё Australinё, tё cilat kanё vendosur një valë ndalimesh dhe kufizimesh tё udhëtimeve, si dhe shitje tё shumta në tregjet financiare, teksa investitorët shqetësohen se Omicron mund të ndalojë rimëkëmbjen globale nga pandemia gati dyvjeçare.

Omicron, i quajtur një “variant i shqetësimit” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, është potencialisht më ngjitës se variantet e mëparshme të sëmundjes, megjithëse ekspertët nuk e dinë ende shkallёn e vdekshmёrisё sё tij, krahasuar me llojet e tjera.

Varianti u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe që atëherë ёshtё evidentuar gjithashtu edhe në Belgjikë, Botsvanë, Izrael dhe Hong Kong.

Autoritetet holandeze thanë se 61 nga rreth 600 persona që mbërritën në Amsterdam me dy fluturime nga Afrika e Jugut të premten, kishin rezultuar pozitivë me coronavirus.

Autoritetet shëndetësore po kryejnё teste të mëtejshme për të parë nëse rastet që përfshinin variantin e ri.

Tregjet financiare ranë të premten, veçanërisht stoqet e linjave ajrore dhe të tjera në sektorin e udhëtimeve, pasi investitorët u shqetësuan se varianti mund të shkaktoj njё shpёrthim tjetёr të pandemisë. Çmimet e naftës ranë me rreth 10 dollarë për fuçi.

Bursa e stoqeve “Dow Jones Industrial Average” u mbyll me 2.5%, dita e saj më e keqe që nga fundi i tetorit 2020 dhe stoqet evropiane patën ditën e tyre më të keqe në 17 muaj.

Mund të duhen javë që shkencëtarët të kuptojnë plotësisht mutacionet e variantit dhe nëse vaksinat dhe trajtimet ekzistuese janë efektive kundër tij.

Omicron është varianti i pestë shqetësues i përcaktuar nga OBSH-ja.

Varianti i ri ka vendosur gjithashtu në vëmendje pabarazitë pёr shkallёn e vaksinimit nё botë.

Edhe pse shumë vende të zhvilluara kanё filluar vaksinimin me dozën e tretë, më pak se 7% e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta kanë marrë vaksinën e tyre të parë për COVID-19, sipas grupeve mjekësore dhe të të drejtave të njeriut.

Seth Berkley, njё nga drejtueset e iniciativёs “COVAX” pёr furnizim tё vendeve me tё ardhura tё ulёta me vaksina anti-COVID, tha se shpёrndarja e barabartё ishte thelbësore për të shmangur shfaqjen e më shumë varianteve të coronavirusit.

Marrë nga Reuters, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore