Lajme

Varianti “Omicron”/ Presidenti i Afrikës së Jugut: Hiqni ndalimin e udhëtimeve


Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, nëpërmjet një video-mesazhi të hënën e 29 nëntorit, ka dënuar ndalimet e udhëtimit të miratuara kundër vendit të tij dhe fqinjëve të tij për shkak të variantit të ri të coronavirus-it “Omicron”.

Ramaphosa tha se ishte “thellësisht i zhgënjyer” nga veprimi, të cilin e përshkroi si të pajustifikuar dhe bëri thirrje që ndalimet të hiqen urgjentisht.

Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe SHBA-të janë ndër vendet që kanë vendosur kufizime të udhëtimit.

“Omicron” është klasifikuar si një “variant shqetësues” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Dëshmitë e hershme sugjerojnë se ka një rrezik më të lartë të ri-infeksionit.

Varianti me numër mutacionesh të lartë u zbulua në Afrikën e Jugut në fillim të këtij muaji dhe më pas u raportua nga OBSH-ja të mërkurën e kaluar.

Varianti është përgjegjës për shumicën e infeksioneve të gjetura në provincën më të populluar të Afrikës së Jugut, Gauteng, gjatë dy javëve të fundit dhe tani është i pranishëm në të gjitha provincat e tjera të vendit.

Të hënën, Japonia u bë vendi i fundit që rivendosi kufizimet e ashpra kufitare, duke ndaluar të gjithë të huajt të hyjnë në vend nga 30 nëntori.

OBSH-ja është shprehur kundër vendeve që vendosin me nxitim kufizimet e udhëtimit, duke bërë thirrje se ata duhet të shikojnë në një “qasje të bazuar në rrezik dhe shkencë”. Megjithatë, ndalime të shumta janë futur ditët e fundit mes shqetësimeve për variantin.

Drejtoresha e OBSH-së për Afrikën, Matshidiso Moeti

Drejtoresha e OBSH-së për Afrikën, Matshidiso Moeti, tha të dielën se, “me variantin “Omicron” të zbuluar tani në disa rajone të botës, vendosja e ndalimeve të udhëtimit që synojnë Afrikën sulmon solidaritetin global”.

Në fjalimin e tij, Ramaphosa tha se nuk kishte asnjë bazë shkencore për ndalimet e udhëtimit dhe se Afrika Jugore ishte viktimë e diskriminimit të padrejtë.

Ai gjithashtu argumentoi se ndalimet nuk do të ishin efektive në parandalimin e përhapjes së variantit.

“E vetmja gjë që do të bëjë ndalimi i udhëtimit është të dëmtojë më tej ekonomitë e vendeve të prekura dhe të minojë aftësinë e tyre për t’iu përgjigjur dhe rimëkëmbur nga pandemia”, tha ai.

Ai u bëri thirrje vendeve që “t’i ndryshojnë urgjentisht vendimet e tyre përpara se t’u shkaktohet ndonjë dëm i mëtejshëm ekonomive tona”.

Më tej, Ramaphosa e përshkroi shfaqjen e variantit “Omicron” si një thirrje zgjimi për botën në lidhje me pabarazinë e vaksinave – duke paralajmëruar se, derisa të gjithë të vaksinoheshin, më shumë variante ishin të pashmangshme.

Nuk ka mungesë vaksinash në Afrikën e Jugut dhe Ramaphosa u kërkoi njerëzve që të vaksinoheshin, duke thënë se kjo mbeti mënyra më e mirë për të luftuar virusin.

Një deklaratë e mëparshme nga ministria e Jashtme e Afrikës së Jugut të shtunën gjithashtu kritikoi ashpër ndalimet e udhëtimit, duke thënë se vendi po ndëshkohej – në vend që të duartrokiteshin – për zbulimin e “Omicron”.

Ky i fundit tani është zbuluar në një numër vendesh anembanë botës, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Australinë dhe Izraelin.

Në Holandë, “Omicron” u zbulua te 13 persona që mbërritën në Amsterdam nga Afrika e Jugut.

Izraeli i ndaloi të gjithë të huajt të hyjnë në vend për 14 ditë që nga mesnata e së dielës.

Mbretëria e Bashkuar bëri thirrje për një takim urgjent të grupit të kombeve të G7-ës të hënën për të diskutuar variantin e ri.

Votuesit në Zvicër mbështetën masat e qeverisë për të trajtuar COVID-in, sipas rezultateve paraprake.

Kompanitë e udhëtimit dhe industria e aviacionit kanë reaguar me frikë ndaj shtrëngimit të kufizimeve në kufijtë ndërkombëtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore