Lajme

OKB: Miliona njerëz në Nigeri do të përballen me urinë


Rreth 4.3 milionë njerëz në Nigerinë verilindore parashikohet të përballen me urinë e rëndë midis qershorit dhe gushtit, kanë paralajmëruar Kombet e Bashkuara.

Jens Laerke, një zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), i tha konferencës javore të OKB-së se analiza e tyre tregoi se pothuajse 600 mijë njerëz nga 4.3 milionë njerëz po përballeshin me nivele të jashtëzakonshme të pasigurisë ushqimore.

Rreth dy milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç në tre shtetet federale të Nigerisë përballen me urinë.

“Ata kanë 11 herë më shumë gjasa të vdesin në krahasim me fëmijët e ushqyer mirë. Duhen ndërhyrje urgjente”, tha Laerke, transmeton agjencia Anadolia.

Programi Botëror i Ushqimit (WFP), tha Laerke, po rrit përpjekjet për të ofruar ndihmë urgjente ushqimore për 2.1 milionë njerëz, ndërsa UNICEF po ofron trajtim terapeutik për fëmijët e kequshqyer në mënyrë akute.

“Megjithatë, mesazhi nga kolegët tanë në Nigeri është i qartë – ne duhet të rrisim më tej ndërhyrjet, duke përfshirë ushqimin, ushqimin terapeutik dhe mbështetjen e jetës”, vuri në dukje Laerke.

Ai paralajmëroi se situata mund të bëhet “katastrofike” për miliona njerëz.

Zyrtari tërhoqi vëmendjen për mungesën e fondeve, pasi vetëm 11 për qind e 1.3 miliardë dollarëve që nevojiten për verilindjen këtë vit janë siguruar.

“Sa më gjatë të jenë familjet pa ndihmë, aq më i madh është rreziku i urisë dhe vdekjes”, shtoi Laerke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore