Shqipëria

OFL përfundon në Gjykatën Kushtetuese


Operacioni Fuqia e Ligjit (OFL) ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, pasi është denoncuar për një aksion të saj si antikushtetues.

OFL-ja është denoncuar nga shtetasi Edlir Hysenaj, i cili pretendon se sekuestrimi i automjetit të tij nga Operacioni është kundër ligjit.

Bëhet fjalë për aktin normative numër 1 të datës 31 janar 2020, ku i është sekuestruar automjeti shtetasit Hysenaj vetëm me pretendimin se vëllai i tij është i skeduar për drogë në shtetin e Gjermanisë.

Ndërkohë, Këshilli i Ministrave ka kërkuar shtyrjen e seancës. Kjo, me qëllim që të njihen me dokumentet përkatëse.

Gjykata Kushtetuese është tërhequr për vendim.

Operacioni Forca e Ligjit

Të hënën  e 3 shkurtit 2020, njësia special policore e quajtur OFL dolën në terren për të zbatuar ligjin special të miratuar  nga Qeveria, ndaj personave të dënuar ose akuzuar për krim të organizuar.

Të trajnuar për më shumë se 6 muajsh, OFL-ja do të jetë skuadra që do të luftojë kriminelët dhe pasuritë e tyre.

Kjo strukturë ka qenë ekzistuese në Policinë e Shtetit, por me krijimin e SPAK-ut, do të zbatojë ligjin special të miratuar me akt normativ nga qeveria, e njohur si paketa Anti-KÇK , e cila kishte efekt të përkohshëm deri më 31 dhjetor 2020.

OFL parashikon kontrollin e pasurive të personave që janë dënuar për vepra të rënda penale në vitet e shkuara, si dhe sekuestrimin e pasurive të tyre në rastet e dyshimeve.

Struktura ishte në varësi të drejpërdrejtë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtohej nga drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale.

Kjo strukturë, së bashku me drejtorin e policisë, merr fuqi ligjore që i lejojnë të anashkalojnë Prokurorinë dhe Gjykatën. Ajo kishte në përbërje të saj punonjës të Policisë së Shtetit dhe ekpertë të fushave të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore