Lajme

Oferta e Marine Le Pen për presidencën franceze – BE dhe NATO e shikojnë me skepticizëm


Presidenti aktual i Francës, Emmanuel Macron, ka marrë më shumë vota se sfiduesja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, në raundin e parë të zgjedhjeve franceze.

Kjo gjë krijoi një moment lehtësimi për politikbërësit në të gjithë Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO-n.

Ndërsa epërsia e Macron-it përpara balotazhit të 24 prillit ka lehtësuar shqetësimet akute midis zyrtarëve në Bruksel dhe në të gjithë Evropën, mbetet mundësia që Franca të zgjedhë një president, i cili dëshiron të tërheqë vendin nga strukturat ushtarake të NATO-s dhe rivendosjen e marrëdhënieve me presidentin rus Vladimir Putin.

“Jam shumë i shqetësuar për këtë, shpresoj se nuk do ta zgjedhin Le Pen si Presidente të Francës”, tha këtë javë ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn.

“Francezët duhet ta parandalojnë këtë”, vijoi ai, duke shtuar se fitorja e saj “jo vetëm që do të nënkuptonte një shkëputje nga vlerat thelbësore të BE-së, por do të ndryshonte tërësisht kursin e saj”.

Jean Asselborn

Ndërsa Le Pen i ka moderuar pikëpamjet e saj për BE-në që kur u mposht nga Macron në vitin 2017. Ajo nuk mbron me largimin nga BE-ja ose monedha e përbashkët euro.

Gjithashtu ka bërë thirrje për një “Evropë të Kombeve” më të lirshme dhe shumë nga pozicionet e saj legjislative do të minonte, ose shkelte traktatet e Brukselit.

Si një ish-deputete e Parlamentit Evropian, pikëpamjet e saj populiste ekonomike për ndihmën shtetërore dhe ulja e taksave të brendshme për mallrat e konsumit do të thyente rregulloret e tregut të lirë të BE-së, njëlloj si premtimet e tjera të politikës së saj për imigracionin, tregtinë dhe supremacinë e ligjit francez mbi bllokun.

Ky aspekt i veçantë i manifestit të saj presidencial prej kohësh kishte qenë një shkak për shqetësim brenda Komisionit Evropian, thanë zyrtarët e BE-së, duke pasur parasysh rritjen e konsiderueshme që do t’u jepte vendeve të tjera, si Polonia dhe Hungaria, presidenca e saj, të cilat kanë sfiduar supremacinë e ligjit të BE-së.

Ajo gjithashtu ka të ngjarë të prishë marrëdhëniet franko-gjermane, përcaktuese në pjesën më të madhe të politikbërjes së fundit të BE-së dhe ka drejtuar zhvillimin e bllokut dhe do të çojë në një bllokim të mundshëm, thanë analistët.

Marine le Pen dhe Emmanuel Macron, gjatë një debati televiziv

Pavarësisht fitores së tij në raundin e parë të votimit, Macron-i liberal, pro BE-së ende përballet me një betejë të fortë rizgjedhjeje, duke pasur parasysh se politikat ekonomike proteksioniste dhe euroskepticizmi i Le Pen-it shihen si tërheqëse për një pjesë të madhe të votuesve që mbështetën kandidatët e tjerë në raundin e parë.

NATO, aleanca ushtarake e udhëhequr nga SHBA-të, gjithashtu pritet të rishikohet në mënyrë dramatike nga një fitore e Le Pen.

53-vjeçari është zotuar të tërheqë Francën nga struktura e integruar e komandës ushtarake të NATO-s, hap që do t’i largonte trupat dhe armët franceze nga grupi i aseteve nën komandën e aleancës.

Kjo do të përfaqësonte një dobësim të konsiderueshëm të aleancës. Franca, e cila iu bashkua strukturave komanduese të NATO-s nën presidentin Nicolas Sarkozy në 2009, krenohet me forcat e treta më të mëdha ushtarake të aleancës dhe buxhetin e katërt më të madh të mbrojtjes, dhe është fuqia më e rëndësishme ushtarake brenda BE-së.

Ndërsa vetë Macron ka shkaktuar pjesën e tij të zemërimit mes aleatëve të NATO-s, duke iu referuar gjendjes së aleancës të “vdekjes së trurit” në 2019 dhe duke mbrojtur një prani ushtarake të udhëhequr nga BE për të reduktuar mbështetjen e kontinentit në fuqinë e zjarrit të SHBA-ve, së fundi ka ritheksuar mbështetjen për paktin ushtarak në dritën e pushtimit rus të Ukrainës.

Marrë nga Financial Times, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore