Lajme

Oda Ekonomike: Masat e BE-së po ndikojnë në imazhin e Kosovës


Ilustrim

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, në një prononcim për agjencinë kosovare të lajmeve “Ekonomia Online”, ka thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE), përveç ndikimit në thellimin e plagëve financiare dhe zhvillimit ekonomik të vendit, dëmtojnë edhe imazhin e Kosovës.

Rafuna ka thënë se nëse këto masa vazhdojnë, do të kenë një impakt negativ për vendin dhe një imazh jo fort të këndshëm në tërheqjen e invetitorëve të huaj, derisa ka përmendur edhe Fondin e BE-së për Digjitalizim, jashtë së cilës prej gjatës vendeve të Ballkanit Perëndimor ka mbetur vetëm Kosova.

Kreu i OEK-ut, ndonëse ka theksuar se parashikimet e tyre për rritjen ekonomike këtë vit janë 3.5 deri në 4 për qind, shumë shqetësuese e sheh thellimin e deficitit tregtar. Prandaj, ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të përqëndrohet e të hartojë një politikë më të mirë fiskale, në mënyrë që të ulet niveli i deficit tregtar.

“Për këtë arsye, ky është alarm për Qeverinë e Kosovës që të përqendrohet dhe të hartojë një politikë të mirë fiskale, që i ndihmon më shumë prodhimit, në mënyrë që të kemi më shumë eksporte dhe të ulim deficitin tregtar”, ka thënë ndër të tjera Rafuna.

Sa i përket rritjes së të hyrave në Doganën e Kosovës, ai ka thënë se kjo është një çështje për të cilën OEK-u nuk krenohet, ngase kërkesë e vazhdueshme e tyre është prodhimi dhe eksporti, ndërsa ka shtuar se janë të interesuar për sa më pak importe të mallrave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për prestigjiozen amerikane “Bloomberg“, më 29 gusht, ka pohuar se masat ndëshkuese të BE-së po shkaktojnë dëme serioze, posaçërisht në aspektin e mbështetjes financiare e të cilat i alokohen Kosovës në formë të granteve dhe kredive nga BE-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore