Lajme

Oda Amerikane kërkon heqjen e masave që kufizojnë importet nga Serbia: Të dhënat aktuale, realitet i zymtë


Foto: Albanian Post.

Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të rishqyrtohet masat që kufizojnë importet nga Serbia, edhe pse vendimi për ndalimin e importit të mallrave të prodhuara në Serbi, nuk ishte publikuar asnjëherë zyrtarisht deri tani.

Përmes një komunikate për media Oda Ekonomike ka thënë se të dhënat që janë aktualisht zbulojnë “një realitet të zymtë”.

“Të dhënat zbulojnë një realitet të zymtë; importet e lidhura me kompanitë amerikane po pakësohen me një ritëm alarmues. Për më tepër, çdo pengesë për tregtinë, si ky ndalim, ka ndikuar pashmangshëm në rritjen e çmimeve të konsumit, duke rënduar më tej buxhetet e familjeve të Kosovës”.

“Aq më tepër, në rrethana kur Kosova tashmë ka hequr ndalesën për importin e lëndëve të para dhe produkteve gjysmëfinale nga Serbia, është e pakuptimtë dhe ironike që të mbahet në fuqi masa e cila ndalon importin e mallrave që përbëjnë interesa komerciale ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Nga Oda, konsiderojnë se me këtë vendim janë duke u penguar interesat komerciale ndërkombëtare.

Oda Ekonomike Amerikane.

Sipas tyre, normalizimi i raporteve ekonomike Kosovë-Serbi, kapërcen interesat bilaterale.

“Duke qenë vazhdimisht avokuese për politika të hapura dhe të balancuara tregtare, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon veprime të shpejta dhe vendimtare që do të mbështesin rritjen ekonomike, prosperitetin dhe harmoninë rajonale”, thuhet në deklaratë.

“Importet nga kompanitë me pronësi të konsiderueshme amerikane kanë rënë me mbi 39% krahasuar me vitin 2022, duke theksuar ndikimin e konsiderueshëm që masat aktuale të Qeverisë së Kosovës kanë mbi ndërmarrjet ndërkombëtare”.

Qeveria e Kosovës më 14 qershor ka ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye “sigurie”. Ky vendim ishte një përgjigje ndaj arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, të cilët që atëherë janë liruar për t’u mbrojtur.

Megjithatë Albanian Post më 15 qershor nga burime brenda Qeverisë së Kosovës kishte kuptuar se vendimi për bllokimin e mallrave serbe nga ekzekutivi nuk është bërë i formës së prerë asnjëherë.

Burime të Albanian Post kishin thënë se vendimi u kumtua gojarisht, pas lajmit se forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë brenda territorit të Kosovës, por kur erdhi koha që të shkruhej vendimi, të protokollohej, të publikohej në faqen zyrtare të qeverisë dhe t’i dorëzohej Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk u procedua tutje.

“Me gjasë pati ndërhyrje nga jashtë, sepse ishim gati dhe prisnim që vendimin t’ia dorëzonim Ministrisë, por nuk u bë”, ka thënë burimi për Albanian Post.

Në ndonjë nga raftet e dyqaneve të Kosovës, si iniciativë individuale e ndërmarrësit, edhe mund të ketë bojkotim të produkteve serbe e ato të mos gjinden, por fillimi i vitit 2023 në Kosovë për kundër realitetit të “zymtë” që thuhet të jetë nga Oda Ekonomike Amerikane, kishte nisur me rritje të importit të produkteve të Serbisë.

Për dallim nga janari i vitit 2022, ku importet ishin në vlerë mbi 16 milionë euro në janarin e vitit 2023, importi i produkteve të Serbisë në Kosovë ka shënuar rritje në mbi 17 milionë euro. Pra, vetëm në muajin e parë të vitit rritja e importeve nga Serbia ka qenë mbi 1 milion euro.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 10 vjet prej aksionit “Serbia nuk kalon” i cili synonte vendosjen e një reciprociteti në raport me mallrat e Serbisë, kjo e fundit sot e kësaj dite po dominon tregun kosovar me produktet e saja.

Rrjedha logjike thoshte se viti 2022 do të duhej të ishte vit i Shqipërisë e jo i Serbisë për sa i përket importit me Kosovën, kjo pasi që Qeveria është nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje – ideatorit të nismës për bojkotimin e mallrave serbe dhe idhëtarit të bashkimit kombëtar me Shqipërinë.

Por, ky bojkot i mallrave të Serbisë s’ndodhi as në vitin 2023.

Varësia nga mallrat e Serbisë po vazhdon – s’ka ulje të importit, s’ka rënie të prezencës së mallrave serbe në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore