Kosova

Varësia nga mallrat e Serbisë po vazhdon – s’ka ulje të importit, s’ka rënie të prezencës së mallrave serbe në Kosovë


Foto: Albanian Post

Në ndonjë nga raftet e dyqaneve të Kosovës, si iniciativë individuale e ndërmarrësit, edhe mund të ketë bojkotim të produkteve serbe e ato të mos gjinden, por fillimi i vitit 2023 në Kosovë kishte nisur me rritje të importit të produkteve të Serbisë.

Për dallim nga janari i vitit 2022, ku importet ishin në vlerë mbi 16 milionë euro në janarin e vitit 2023, importi i produkteve të Serbisë në Kosovë ka shënuar rritje në mbi 17 milionë euro.

Pra, vetëm në muajin e parë të vitit rritja e importeve nga Serbia ka qenë mbi 1 milion euro.

Përkundër se pjesëtarë të partisë në pushtet shpërndanë në rrjete sociale disa lajme se si në Veri nuk po ka më mallra serbe, sipas njohësve të fushës së Ekonomisë në dy vjetet e fundit Kosova ka shënuar rritjen më të madhe të importit të mallrave të Serbisë.

Tradita e varësisë ekonomike nga Serbia në Kosovë po vazhdon

Profesori universitar në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skenderi, në një bisedë për Albanian Post thotë se rritje të importit të produkteve të Serbisë në Kosovë ka pasur edhe në muajin maj por jo ngjashëm si në muajin janar.

“Muaji janar i vitit 2022 importet ishin në vlerë 16 milionë e 311 mijë e 85 euro, kurse në janarin e 2023 ishte importi 17 milionë e 804 mijë e 536 euro, që do të thotë se kemi rritje të importeve nga Serbia prej 1 milion e 493 mijë e 451 euro”, tregon Skenderi për AP.

Sipas tij, Kosova ka shënuar rritje të madhe në dy vjetet e fundit të importit të produkteve nga Serbia.

“Krahasuar në shifra reale kemi rritje të importeve nga vitet krahasuese 2022 e 2023, edhe pse në ndonjë periudhë të veçantë kohore kemi pak rënie, por shifrat totale sipas viteve japin rritje të importeve nga Serbia në këto dy vjet”.

 

Foto: Albanian Post.

Skenderi, thotë se bashkëpunimi me Serbinë është i lidhur mjaft ngushtë cka përbën një lloj varësie të Kosovës me produktet e tyre.

“Ekonomia e Kosovës, është mjaft e varur nga importet e huaja në mallra dhe shërbime e sidomos në raportet e saj tregtare me Serbinë. Me këtë shtet siç po duket jemi shumë të lidhur ekonomikisht, mjaft të varur nga mallrat serbe, sepse të dhënat statistikore që jep ASK-ja për vitin e kaluar dëshmojnë që kemi pasur një rritje të importeve nga ky vend prej afro 66 milionë euro dhe kjo e bën vendin tonë të varur nga importet serbe”, thotë ai.

Situatën aktuale ai e përshkruan “në kundërshtim” me orientimet parazgjedhore të partisë në pushtet.

“Në programet e saj parashihej një largim nga mallrat serbe, kurse tash mendoj se po ndodh e kundërta, çdo ditë e më shumë po rriten importet e mallrave serbe në Kosovë. Qeveria duhet fillimisht ta ndryshojë programin ekonomik, në rast se e ka ndonjë të tillë”.

“E po ashtu të orientohet që raportet tregtare me jashtë t’i intensifikojë më shumë me Shqipërinë, Maqedoninë dhe vendet e tjera duke shkuar në drejtim të ndryshimit të strukturës ekonomike”.

Skenderi shton se, “tradita e varësisë ekonomike nga Serbia” po vazhdon.

“Manipulime edhe me shifra – s’ka rënie të importit” 

Edhe për ish-ministrin e Financave, Haki Shatrin, gjatë këtij viti nuk është shënuar rënie në importimin e produkteve të Serbisë në Kosovë.

Madje, thotë se ka ndodhur e kundërta derisa u vendos përkohësisht për bllokimin e qarkullimit të mallrave të Serbisë në Kosovë.

“Jo rënie të importit s’ka pasur, ka pasur rritje veçanërisht vitin e fundit deri sa u morë vendimi që të bllokohet qarkullimi, ka pasur shifra rreth 400 milionë importet”.

“Mirëpo, po ndodh manipulime edhe me shifra, statistika në mënyrën si po kanë dëshirë kur të duhen numra relativë t’i shprehin relativë, kur të vyen numra absolutë, i shprehin absolut”, thotë Shatri për AP.

Ish-ministri thekson se edhe ajo koha e shkurtër kur ndodhi njëfarë bllokimi i disaditshëm – jo formal – i mallrave serbe, as atëherë nuk u bë si politikë ekonomike, por si politikë ditore.

“Kjo ndërprerje nuk dukej që është në politikat bashkëkohore të asnjë vendi dhe mund të has në kritika të vendeve tona mike”.

Si Skenderi edhe Shatri, pohon se vitin e kaluar ishte shënuar numri më i madh i importit të produkteve të Serbisë në Kosovë krahasuar me vitet e mëhershme.

“Pra, vitin e kaluar është bërë numri më i madh i produkteve të Serbisë që kanë ardhur në Kosovë sesa viteve paraprake”.

Edhe sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importi i mallrave nga Serbia kishte shënuar rritje në muajin prill të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Importet nga vendet e CEFTA-së në muajin prill 2023, arritën në 78,3 milion euro, ose 17.6 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.1 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 6.1 për qind Shqipëria 5.6 për qind Maqedonia 4.6 për qind”, thuhej në raportin e ASK-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sa ishte në opozitë deklaronte se “Serbia është e interesuar që shqiptarët të blejnë sa më shumë produkte të saj sepse në këtë mënyrë ajo forcohet brenda Kosovës dhe e kontrollon më kollaj politikën e saj”.

Kurti pretendonte se Qeveria e Serbisë në përgjithësi është lidhur me disa prodhues të cilët e kanë serinë e veçantë për produktet në Kosovë që mund të jenë të cilësisë më të ulët e mbase edhe të mos jenë të shëndetshme.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 10 vjet prej aksionit “Serbia nuk kalon” i cili synonte vendosjen e një reciprociteti në raport me mallrat e Serbisë, kjo e fundit sot e kësaj dite po dominon tregun kosovar me produktet e saja.

Rrjedha logjike thoshte se viti 2022 do të duhej të ishte vit i Shqipërisë e jo i Serbisë për sa i përket importit me Kosovën, kjo pasi që Qeveria është nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje – ideatorit të nismës për bojkotimin e mallrave serbe dhe idhëtarit të bashkimit kombëtar me Shqipërinë.

Por, ky bojkot i mallrave të Serbisë s’ndodhi as në vitin 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore