Lajme

OBSH: Kosova është mirë me imunizim, keq me sigurime shëndetësore


Organizata Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Udhëheqësi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, Oleksandr Martynenko, ka deklaruar se Kosova “është më keq” sa i përket sigurimeve shëndetësore e “më mirë me imunizim”.

Martynenko, ka thënë se duhet të investohet në shëndet sepse sipas tij kështu është edhe më e lirë për të parandaluar sëmundjet.

“Për sa i përket sistemeve shëndetësore në Kosovë ballafaqoheni me sfida të njëjta sikurse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor por ne si zyrë, jemi këtu për t’i përkrahur institucionet shëndetësore për të përmirësuar situatën për sa i përket shëndetit publik”.

“Në disa indikatorë Kosova qëndron më mirë për sa i përket shëndetit publik në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor e në disa qëndron me dobët”, ka deklaruar Martynenko, në një intervistë për Radio Kosovën.

Ndërsa ka shprehur përkrahje nga zyrat e OBSH-së që t’u ndihmojnë Kosovës për përmirësimin e situatës sa i përket shëndetit publik.

“Për sa i përket vaksinimit dhe imunizimit të rregullt si dhe menaxhimit dhe monitorimin të sëmundjeve ngjitëse, Kosova qëndron mirë”.

“Kurse fusha që ka nevojë të zhvillohet më mirë në Kosovë ka të bëjë më sigurimet shëndetësore dhe mbulimin financiar për shërbime shëndetësore, në mënyrë që të sigurohet që kushdo që ka nevojë për shërbime shëndetësore të mos mbes pa to si pasojë e mungesës financiare”.

Teksa ka kërkuar se :një fushë e cila duhet të adresohet në mënyrë intensive është edhe rezistenca antimikrobike që ka të bëjë me konsumimin dhe marrjen e antibiotikeve pa përshkrim të mjekut”.

Sipas tij ata duhet të merren vetëm me përshkrim të mjekut dhe duhet të menaxhohet më mirë.

Problemet në klinika, mungesa e infrastrukturës, mungesa e barnave, fashave, lista e pritjes në QKUK, çmimet e barnave, infuzioneve, e krejt në fund largimi çdo vit e më shumë i mjekëve nga Kosova, vazhdojnë të jenë vetëm disa nga problemet e vjetra që e shoqërojnë shëndetësinë kosovare.

Përveç kësaj aktualisht mjekët janë duke u përballur me mungesë të shtesave, shujtave dhe letrave higjienikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore