Lajme

Pa shtesa, pa shujta, pa letra higjienike


Foto: Albanian Post

Përveç ankesave të pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pakënaqësitë vijnë edhe nga vetë stafi i punësuar në klinikat e QKUK-së.

Pa shtesa, pa shujta, pa letra higjienike, këto janë vetëm disa nga problemet kryesore të stafit mjekësor.

Teksa, problemet në klinika vetëm sa shkojnë e rriten pothuajse çdo ditë.

Mjeku në klinikën e Oftalmologjisë, Florim Zejnullahu, në një bisedë për Albanian Post thotë se mungesa e shtesave e vështirëson akoma më shumë punën e stafit mjekësor.

Nga këndvështrimi i tij, shtesat nuk duhet të ndalën, madje ato duhet të rriten në bazë të vlerës së koeficientit.

Shqetësim tjetër, e ka edhe mungesën e shujtave, të letrave higjienike dhe moskompensimin për rrezikshmërinë në punë.

“Konsideroj që shtesat duhet të vazhdojnë ashtu sikur ishin, sepse nuk kanë lidhje me rritjen e pagave, ato janë legjitime dhe të patjetërsueshme në pako tjetër. Por, duhet të rriten në bazë të koeficientit, pra të dyfishohet”.

“Përveç kujdestarive gjatë muajit mars nuk janë ekzekutuar shtesat tjera shujta dhe rrezikshmëria në punë”, thotë Zejnullahu për AP.

Qendra Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas tij, shujtat do të duhej që të siguroheshin nga menaxhmenti, veçanërisht për personelin në salla operative dhe në shërbimet e tjera.

“Jemi të habitur se si në çdo klinikë nuk ekzistojnë mensat për ushqim të punëtorëve, por vazhdohet që punëtorët shëndetësorë të ushqehen në lokalet përreth QKUK”.

“Sa i përket rrezikshmërisë, momentalisht nuk ka letër higjienike, e lëre më mungesat e tjera”, tha ai.

Përmes një kërkesë nga Albanian Post për t’u informuar lidhur me çështjen e mungesës së letrave higjienike, zyra e prokurimit në QKUK mohon se ka mungesë.

Të gjitha klinikat, sipas këtij institucioni tashmë janë furnizuar.

“Furnizimi me letër higjienike është bërë për klinika, pas përfundimit të procedurës së prokurimit”.

Ndërsa, për sigurimin e ushqimit thonë se ekipet kujdestare e kanë vazhdimisht të ofruar këtë shërbim.

“Sa i përket shujtave, Sektori i Ushqimit dhe Servimit, përveç pacientëve shërben edhe për ekipet kujdestare. Pra, aktualisht të drejtën për ushqyerje e kanë të gjitha ekipet kujdestare!”.

“Punëtorët shëndetësorë janë në kushte të mjerueshme”

Edhe kryetarja e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Tevide Imeri, përmes një përgjigje për Albanian Post thotë se ka shumë pakënaqësi rreth ekzekutimit të pagave.

“Në momentin që janë ekzekutuar pagat për muajin mars ka pasur shumë pakënaqësi sidomos nga ana e infermierëve, sepse infermierët kanë pakënaqësi edhe me ligjin e pagave bashkë me ta ne disa herë kemi dërguar komente dhe vërejtje të cilat nuk janë marrë aspak për bazë për koeficientin”.

Mirëpo, ky nuk është i vetmi problem që ka pranuar nga stafi shëndetësor.

“Një shqetësim tjetër, është edhe rreth kujdestarive, rreth shujtës e cila është hequr, rreth pakos së COVID-19 e cila është dhënë në vlerë prej 60 euro për secilin punëtorë shëndetësor dhe që zyrtarisht akoma nuk është mbyllur COVID-i pasi që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), akoma nuk ka marrë vendim lidhur me këtë çështje por neve na është ndalur kjo shtesë”, deklaroi Imeri për AP.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia në takim me stafin shëndetësorë në klinikën e Oftalmologjisë.

Ajo pohon se pasi të shqyrtohen këto kërkesa do të kërkojnë një takim urgjent me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Ne jemi duke shqyrtuar disa kërkesa, disa informacione nga tereni të cilat po i sjellin përfaqësuesit sindikal dhe pastaj kryesia do të marrë vendim për këto pakënaqësi të cilat po vazhdojnë të shtohen çdo ditë”.

Sa i përket letrës higjienike edhe Imeri e konfirmon se ka mungesë të saj vazhdimisht.

“Kërkesat për letër higjienike i kemi bërë jo një herë, por disa herë. Do të zhvillojmë një takim shumë urgjent me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe do të t’i diskutojmë të gjitha këto. Punëtorët shëndetësorë janë në kushte të mjerueshme pa dallim, por kjo më tepër është mungesë e menaxhmentit”.

Më 31 mars, ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme përmes një komunikate për media kishin bërë të ditur se edhe këtë muaj pagat e zyrtarëve publikë do të ekzekutohen pa shtesat e parapara në Ligjin për Paga.

Në komunikatë është thënë se akoma nuk kanë arritur që të korrigjojnë dhe përshtatin të dhënat e të gjithë të punësuarve në sektorin publikë lidhur me shtesat që ata mund të përfitojnë.

Ndërsa, në rast se kërkesat për rritje të pagesës për ndërrimet e natës dhe pagesa për kujdestaritë për të shtunën e të dielën nuk merren parasysh infermierët e sektorit publik kanë paralajmëruar se do të hyjnë në grevë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore