Lajme

Objektet e naftës dhe gazit mund të përfitojnë nga mbyllja e rrjedhjeve të metanit


Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka zbuluar se heqja e metanit nga objektet e naftës dhe gazit do të ishte pa kosto thuajse kudo në botë.

Madje, në shumë raste, do të prodhonte një fitim të konsiderueshëm, me çmimet e sotme në rritje të gazit, tregon agjencia e lajmeve “The Guardian”.

IEA ka sugjeruar se qeveritë kanë pak justifikime për të bërë, duke marrë masa për të frenuar emetimet e gazit të fuqishëm serë.

Kjo vjen pasi një raport i fundit i saj ka nxjerrë se qeveritë kanë raportuar më pak emetime të metanit në një masë dramatike dhe ato emetime janë ende në rritje të shpejtë.

Duke përdorur satelitët dhe të dhëna të tjera, mbikëqyrësi i energjisë ka zbuluar se emetimet ishin rreth 70 për qind më të larta se sa kishin raportuar qeveritë kombëtare.

Çka ka theksuar nevojën për monitorim shumë më të madh, si dhe përpjekje për të ndalur rrjedhjet.

Drejtori ekzekutiv i IEA-s, Fatih Birol, ka thënë se “me çmimet e ngritura të gazit, thuajse të gjitha emetimet e metanit nga operacionet e naftës dhe gazit në mbarë botën mund të shmangen pa kosto neto”.

IEA ka qenë kampion i veprimeve më të forta për të ulur emetimet e metanit. Dhe një pjesë jetike e këtyre përpjekjeve është transparenca për madhësinë dhe vendndodhjen e emetimeve.

Rusia është një nga burimet më të mëdha të emetimeve të metanit nga operacionet e saj të mëdha të naftës dhe gazit, por pak përpjekje janë bërë atje për të kontrolluar rrjedhjet.

Po ashtu, Turkmenistani dhe Texas-i janë gjithashtu burimet kryesore të rrjedhjeve.

Metani është përbërësi kryesor i gazit natyror, i përdorur për karburant dhe gjithashtu një nga gazrat më të fuqishëm serë, përgjegjës për 30 për qind të rritjes së temperaturave globale.

Afro 40 për qind e emetimeve të metanit nga aktiviteti njerëzor vijnë nga sektori i energjisë, kryesisht nga puset dhe tubacionet me rrjedhje të naftës dhe gazit.

Ama në shumë vende bëhen pak përpjekje për të kontrolluar emetimet.

Referuar IEA-s, justifikimet për të ndaluar rrjedhjet e metanit janë të pakta, pasi ato vijnë nga tubacionet e mirëmbajtura keq dhe objektet e prodhimit të keqmenaxhuara, ku gazi mund të digjet në vend që të përdoret.

Dhe se teknologjia e nevojshme për të eliminuar rrjedhjet është gjerësisht e disponueshme.

Autori kryesor i raportit, Christophe McGlade, ka treguar se qeveritë duhet të ndërhyjnë për të siguruar që kompanitë të përdorin teknologjinë.

“Një arsye që kompanitë nuk e bëjnë këtë është mungesa e vetëdijes për problemin, ose mungesa e vetëdijes se sa efektiv është reduktimi”, ka treguar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore