Lajme

Nurellari: Kurti është demagog dhe i papërgjegjshëm, kriza energjetike është lajmëruar në fillim të vitit


Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Adri Nurellari

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Adri Nurellari, ka reguar ndaj lajmërimit dhe arsyetimi të krizës energjetike të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Nurellari e ka quajtur “demagogji dhe papërgjegjësi”, arsyetimin e Kurtit.

“Kriza energjitike botërore u paralajmërua që në fillim të vitit, kështu që qeveria e Kosovës ka pasur boll kohë për të lidhur kontrata në një kohë kur çmimet e rrymës nëpër bursa ishin ende të arsyeshme”, ka shkruar ai në Facebook.

“Është fakt i ditur nga të gjithë që gjatë dimrit prodhimi vendas nuk përballon dot konsumin në rritje e çdo qeveri duhet të përgatitet për import”.

Sipas Nurellarit, Kryeministri Kurti ka penguar një sërë projektesh, që kanë të bëjë drejtëpërsëdrejti me energjinë elektrike.

Në rend të parë, shkruan ai, Kurti “detyroi kompaninë Contour Global që të tërhiqet nga ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re me investim 1.2 miliardë euro me kapacitet 500 megavatë”.

Së dyti, shkruan se “bllokoi investitorin strategjik francez “Akou Energy” që kishte marrë miratimin vjet për të investuar në Vushtrri, mbi 110 milionë euro në energji me erë, në kuadër të projektit “Cicavica Wind Farm 1 L.L.C.”. Mediat kanë raportuar që Akou është zhvendosur në Maqedoni të Veriut”.

Dhe së treti, sipas tij, “Bllokoi grantin 200 milionë euro të agjencisë amerikane MCC në për rrjetin e përçuesit të gazit, si dhe projektit për termocentral me gaz natyror që do mbulonte 20% të nevojave të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore