Biznes

Numri i ndërmarrjeve në vitin 2021 u rrit, kurse investimet në rënie


Në vitin 2021, kanë qenë 104 mijë e 31 ndërmarrje ekonomike aktive duke shënuar një rritje me 1,4 për qind krahasuar me vitin pararendës.

Referuar INSTAT-it, ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet tregtar kanë zënë përqindjen më të lartë të numrit të ndërmarrjeve me 38,3 për qind.

Numri i të punësuarve gjithsej është rritur me 15 mijë e 254 të punësuar ose 3,0 për qind krahasuar me vitin 2020. Prodhuesit e shërbimeve zënë 64,0 për qind, ndërsa prodhuesit e të mirave zënë 36,0 për qind.

Në vitin 2021, shitjet neto arritën vlerën 2.652 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 23,5 për qind ndaj vitit 2020.

Prodhuesit e shërbimeve zënë pjesën më të madhe të shitjeve neto të realizuara duke përbërë 65,1 për qind të shitjeve gjithsej.

Ndërkohë, investimet u ulën me 10,2 për qind në vitin 2021 dhe arritën vlerën 174 miliardë lekë, në krahasim me 194 miliardë lekë në vitin 2020.

Prodhuesit e shërbimeve zënë pjesën më të madhe të investimeve të realizuara duke përbërë 53,3 për qind të investimeve gjithsej për vitin 2021.

Prodhuesit e të mirave kanë kontribuar me 0,8 pikë përqindje në numrin e ndërmarrjeve; 0,3 pikë përqindje në numrin e të punësuarve; 10,5 pikë përqindje në shitjet neto dhe -5,7 pikë përqindje në investimet gjithsej.

Kurse prodhuesit e shërbimeve kanë kontribuar me 0,6 pikë përqindje në numrin e ndërmarrjeve; 2,7 pikë përqindje në numrin e të punësuarve; 13,0 pikë përqindje në shitjet neto dhe -4,5 pikë përqindje në investimet gjithsej.

Sektori i Tregtisë dhe sektori i Energjisë Elektrike kanë kontribuar përkatësisht me 9,1 pikë përqindje dhe 3,7 pikë përqindje në rritjen prej 23,5 për qind të shitjeve gjithsej.

Sipas INSTAT-it, prodhimi për të punësuar për vitin 2021 ka qenë 3.188 mijë lekë nga 2.632 mijë lekë për të punësuar rezultuar në vitin 2020.

Dhe ky tregues është më i lartë te prodhuesit e të mirave në krahasim me prodhuesit e shërbimeve.

Investimet për ndërmarrje janë ulur me 11,5 për qind në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020, duke arritur vlerën 1.673 mijë lekë.

Ndërmarrjet e prodhimit të të mirave ku përfshihen sektorët e industrisë nxjerrëse, përpunuese, energjisë elektrike, gazit, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve si edhe ndërtimi, përbëjnë rreth 34,9 për qind të shitjeve neto të realizuara.

Ndërkaq, sektori me ndikimin më të madh në prodhuesit e të mirave për numrin e ndërmarrjeve aktive, shitjet neto dhe numrin e të punësuarve ka qenë sektori i industrisë përpunuese.

Ndërsa aktiviteti i ndërtimit ka patur ndikim më të madh tek investimet.

Në prodhuesit e shërbimeve operojnë 86,8 për qind e ndërmarrjeve aktive që realizuan 65,1 për qind të shitjeve neto. Në këtë grup ndërmarrjesh rolin kryesor e zë aktiviteti i tregtisë.

Në tregti operojnë 38,3 për qind e ndërmarrjeve që realizojnë 46,3 për qind të shitjeve neto gjithsej.

Sektori i tregtisë kontribuoi me 9,1 pikë përqindje në rritjen vjetore prej 23,5 për qind të shitjeve neto. Të punësuarit në tregti zënë 25,2 për qind të numrit të të punësuarve gjithsej. Në tregti është investuar 20,1 për qind e vlerës gjithsej të investimeve të kryera në të gjithë aktivitetet ekonomike të mbuluara nga vrojtimi.

Gjatë vitit 2021, në ndërmarrjet ekonomike aktive janë punësuar 519 mijë e 240 persona.

Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kanë 41,7 për qind të numrit gjithsej të të punësuarve që realizuan 47,5 për qind të shitjeve neto dhe 45,6 për qind të investimeve edhe pse përbëjnë vetëm 1,3 për qind të ndërmarrjeve aktive.

Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar kanë 27,5 për qind të të punësuarve gjithsej që kanë realizuar 12,8 për qind të shitjeve neto. Këto ndërmarrje realizuan 10,1 për qind të investimeve dhe përbëjnë 85,9 për qind të ndërmarrjeve aktive.

Ndërmarrjet me 50 dhe më shumë të punësuar kanë kontribuar me 12,4 pikë përqindje në ndryshimin vjetor të shitjeve neto gjithsej.

Kurse ndërmarrjet me një deri në katër të punësuar kanë kontribuar me 2,2 pikë përqindje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore