Lajme

“Numërimi i votave me kusht merr kohë”


Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj, ka thënë se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është pranuar i gjithë materiali i ndjeshëm nga të gjitha komunat, por sipas tij, numërimi i votave me kusht do të marrë kohë.

“Votat me kusht na merr kohë, ndoshta pas dy ditëve do të mund të fillojmë me numërimin e tyre sepse na duhet mi regjistru të gjithë votuesit e rregullt, pastaj votuesit me kusht dhe ti bëjmë krahasimet të gjithë votuesve të rregullt, me kusht dhe me postë në mënyrë që të kemi konfirmimin pastaj se cilët votues me kusht do të numërohet vota e tyre”, tha Ahmetaj.

Ai ka theksuar se janë në procesin e procesimit të dhënave nga formularët.

“Po ashtu është në proces skanimi i listës përfundimtare të votuesve dhe sot pasdite mund të filloj procesi i regjistrimit të votuesve me kusht në databazë. Siç ju kemi njoftuar sot në orën 16:00 do të nis numërimi i votave me poshtë, materiali tashmë është pranuar në QNR”, shtoi Ahmetaj.

Të dielën e 14 nëntorit, Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka shpallur rezultatet preliminare të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave.

Sipas KQZ-së pjesëmarrja në këto zgjedhje deri në orën 19:00 ishte 38.48 për qind apo 378 mijë e 730 qytetarë kanë votuar.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve të drejtë vote kishin 1 milion e 260 mijë e 571 qytetarë.

Numri i qendrave të votimit ishte 575 kurse vendvotime ishin 1 mijë e 638.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore