Shqipëria

Nuk zbatuan masat anti-Covid, gjobiten rreth 3000 qytetarë


Janë ndëshkuar me masë administrative 2 mijë e 953 shtetas, që nuk zbatuan masat anti-Covid gjatë fundjavës.

“Gjatë fundjavës, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 2 mijë e 953 shtetas, të cilët nuk kanë zbatuar masat anti-Covid. 2 mijë e 923 prej tyre janë ndëshkuar për mosvendosjen e maskës mbrojtëse”, njofton policia.

Patrullat e Përgjithshme kanë ndëshkuar me masë administrative 3 mijë lekë, 2 mijë e 490 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Gjithashtu janë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative 433 shtetas, të cilët udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare, apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve në fundjavë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar tri subjekte të ndryshme që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1 milion lekë (të vjetër).

Po ashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10 mijë lekë, 27 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.

Në zbatim të masave anti-Covid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social. Ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore