Lajme

“Nuk kam thënë unë, por gazetari” – Gërvalla arsyetohet për intervistën ku thuhet se anëtarët e UÇK-së vranë shqiptarë, romë e serbë


Donika Geralla, ministre e Jashtme e Kosoves

Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka folur përsëri për vrasjet e pasluftës në një media ndërkombëtare.

Në një intervistë dhënë gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung, edicionin ndërkombëtar, ajo kërkon që vrasjet e pasluftës të hetohen, derisa në tekst thuhet se vrasjet ndodhën pas tërheqjes së trupave serbe dhe se “vrasjet u kryen kryesisht nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Viktimat ishin kundërshtarë serbë, romë dhe shqiptarë të UÇK-së. Disa ish-komandantë janë në paraburgim në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë”, vazhdon teksti i shkruar nga gazetari, Andreas Reich.

Neue Zürcher Zeitung është nga gazetat më të shitura dhe më të respektuara në Zvicër. NZZ njihet për raportim në detaje dhe objektivitet sidomos për ngjarjet ndërkombëtare.

Gërvalla në intervistë thotë se “së bashku me të tjerët, unë kam kërkuar vazhdimisht që vrasjet politike pas përfundimit të luftës të hetohen plotësisht”.

“Ne kemi nevojë për këtë, për procesin e brendshëm të shërimit të shoqërisë sonë”.

Pas raportimeve të mediave në Kosovë për këtë artikull, Gërvalla me anë të një statusi në Facebook është arsyetuar. Ka thënë se nuk është teksti i saj, por i gazetarit që e ka intervistuar.

“Citati shpreh opinionin e gazetarit dhe jo timin”, shkruan Gërvalla.

Por, ministrja e Jashtme e Kosovës, që në të kaluarën ka thënë edhe në media të tjera, që ka bashkëpunuar me Gjykatën Speciale për të kontribuuar me prova, nuk i ka reaguar gazetarit zviceran e as tekstit të gazetës.

Tekstet që realizohen me intervista, nëse nuk përcjellin frymën e atij që e jep intervistën, ose deformohet ajo që ka thënë, qoftë edhe me përshkrim dhe jo me citat, është e drejtë që të kërkojë ndryshimin e tekstit dhe në qoftë se mediumi refuzon, atëherë dilet me reagim si kundërshtim i artikullit.

Donika Gërvalla është ministre në Qeverinë e Albin Kurtit. Ajo vjen nga Lista Guxo, një nismë politike e themeluar nga Vjosa Osmani, tash presidente e Kosovës. Lista Guxo ende nuk është themeluar si parti politike.

Më herët Gërvalla ishte anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por ishte përjashtuar nga LDK-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore