Lajme

Nuk ka vend për ëndrrat e vjetra, thotë presidenti gjerman për lidhjet me Rusinë


Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar një “ndërprerje epokale” në lidhjet e Gjermanisë me Moskën dhe lufta ka shkatërruar ëndrrën e ish-presidentit sovjetik Mikhail Gorbachev për një “shtëpi të përbashkët evropiane”.

Kështu deklaroi të premten e 28 tetorit presidenti Frank-Walter Steinmeier.

Ky i fundit, i cili rrjedh nga një krah i socialdemokratëve të Gjermanisë që për një kohë të gjatë argumentonte për lidhje më të ngushta ekonomike me Moskën, tha se pushtimi rus i Ukrainës kishte sjellë një ndryshim në epokë.

“Kur shikojmë Rusinë e sotme, nuk ka vend për ëndrra të vjetra”, tha Steinmeier në tekstin e përgatitur të një fjalimi kombëtar.

“Vendet tona po qëndrojnë kundër njëri-tjetrit sot. Na ka zhytur edhe në Gjermani në një kohë tjetër, në një pasiguri që mendonim se e kishim kapërcyer: një kohë e shënuar nga lufta, dhuna dhe ikja, nga shqetësimet për zgjerimin e luftës në një zjarr në Evropë”, tha ai.

Steinmeier bëri një vizitë të papritur në Kiev të martën, kur premtoi mbështetje të mëtejshme për Ukrainën, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore. Vizita ishte e para e tij që kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Ai kishte planifikuar fillimisht të vizitonte Ukrainën në prill, por Kievi refuzoi ta mirëpriste atë në mes të shqetësimit për mbështetjen e tij të kaluar për një afrim perëndimor me Rusinë. Kievi dhe Berlini më vonë e rregulluan mosmarrëveshjen e tyre.

Steinmeier, roli i të cilit si kreu i shtetit është kryesisht ceremonial, tha në fjalimin e tij se presidenti rus Vladimir Putin ishte personalisht përgjegjës për trazirat në Evropë dhe ai dënoi “fiksimin e tij perandorak”.

Putin nga ana e tij ka akuzuar Perëndimin për nxitje të luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore