Shqipëria

Nuk aplikohet fasha 800kWh as në nëntor, njofton Qeveria


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka njoftuar se fasha prej 800 kilovat orësh, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, nuk do të aplikohet ndaj konsumatorëve as për muajin nëntor.

Ky vendim, sipas një njoftimi edhe nga kreu i Qeverisë, Edi Rama, ka ardhur duke parë parashikimet e reshjeve të shiut në vijim, si edhe kursimin e energjisë që vetë qytetarët po ndërmarrin, apo edhe rënien e çmimit në tregun ndërkombëtar, ku Shqipëria blen rrymë për të plotësuar nevojat e konsumit.

“Vetëm duke qenë të bashkuar me të vërtetat e kësaj situate ne mund dhe do ta përballojmë edhe këtë sfidë, ku themelor mbetet kursimi”, shkruan Rama në median e tij sociale Facebook, ku ka shpërndarë edhe mesazhin e ministres Balluku.

Të njëjtën dinamikë e ka zbërthyer në detaje edhe kjo e fundit, duke e vënë sërish theksin te kursimi.

“Në rast se të gjithë bashkë vendosim të kursejmë qeveria shqiptare është e vendosur të mos ekspozojë asnjë abonent ndaj fashës prej 800 kilovatësh”, bëri me dije ajo.

Një aksion të tillë e ka marrë ministrja edhe ndaj administratës shtetërore, ku ka kërkuar nga 230 administratorë të kursehet minimalisht 15% e energjisë elektrike në çdo institucion shqiptar.

Në një takim që ajo zhvilloi me administratorët më 26 tetor, ka bërë të qartë se kursimi tashmë është një prioritet absolut i Qeverisë, pasi energjia, po shihet si një instrument i rëndësishëm, për të zbutur krizën.

“Kursimin e nisim nga vetja. Japim shembullin më të mirë, kursejmë që ta kemi”, tha ajo përballë tyre.

Në rast të një ndryshimi të mundshëm të vendimit, fasha e aplikuar për konsumin mbi fashën e 800 kilovatëve, do të jetë prej 42 lekësh për kilovat.

Këtë shifër duhet ta paguajnë si konsumatorët familjarë, të cilët e kalojnë shumën, si bizneset e vogla, të cilat janë edhe kategoritë e mbrojtura nga Qeveria, sa i përket çmimit.

Vendimi ishte i propozuar fillimisht të hynte në fuqi më 1 tetor 2022.

Por, pas një rishikimi të situatës nga Qeveria, vendimi u shty, për të kaluar në rishikim mujor, varësisht nga situata energjetike në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore