Libra

Njeriu një-dimensional


Jo të gjitha problemet që dikush ka me të dashurën e tij domosdoshmërisht janë probleme të mënyrës kapitaliste të prodhimit”, Herbert Markuze për gazetën The Listener, 1978.

Gjenerata të tëra mendimtarësh e teoricienësh kritikë të shoqërisë janë prodhuar nga Shkolla e Frankfurtit. Herbert Markuze, Teodor Adorno, Uallter Benjamin, Erik Fromm, Maks Horkhajmer, janë prej më të rëndësishmëve.

Përderisa emri i vënë në piedestal i shkollës më me nam të shekullit të kaluar ka qenë Teodor Adorno, jo më pak i rëndësishëm, për të mos thënë “më” i rëndësishëm, është Herbert Markuze me veprën e tij Njeriu një-dimensional.

Adorno teorizonte nga pikëpamja e rrënojave, dialektikës negative, (anti)progresit njerëzor prej “shigjetës primitive deri në bombë atomike”, prej mitologjive të errëta të mesjetës në errësirën mitologjike të racionalitetit, kurse Marcuse mirëmbante optimizmin dhe prospektin e tij për të mirën që mund të arrihej.

Gjatë viteve 1920 dhe fillimit të 30-ave, Markuze kishte studiuar në Freiburg me Martin Heidegger-in, dhe i kishte përvetësuar veprat e Hegelit, Marksit, fenomenologjinë, ekzistencializmin, idealizmin gjerman, dhe klasikët e traditës filozofike perëndimore.

Marcuse ishte nën inkantacionin hajdegerian të kritikës së filozofisë perëndimore dhe prospektin e zhvillimit të mënyrave të reja të filozofimit. Ai qëndroi nën ombrellën ekzistencialiste të Hajdegerit në problemet konkrete të individit ekzistues, metodën fenomonelogjike të Hajdegerit dhe Huserllit në shkëputjen filozofike me teorizime abstrake të shkëputura nga vetëdija.

Po ashtu Markuze zhvilloi një koncepcion teknologjik për botën gati se hajdegerian, dhe e shihte racionalitetit teknologjik si kolonizatorin kryesor të jetës së përditshme njerëzore, si kufizues të lirive individuale, dhe imponimit të imperativëve teknologjik në mendjet dhe sjelljen njerëzore. Megjithatë ai u distancua nga Hajdegeri për shkak të afrive të tij me partinë Naziste, dhe ngritjes së tyre në pushtet.

Markuze besonte se mendimi dialektik mund të promovonte mendimin kritik. Mendimi jo-kritik rrënjët e saj i gjen në besimin e verbër në norma dhe vlera të marra nga praktikat dhe mënyrat konvencionale të funksionimit të shoqërisë, kurse mendimi kritik ngritët mbi këto dhe ndërton alternativë në mendim, perceptim, gjykim të gjërave.

Instrumentalizimi i njerëzimit mund të kthehej mbrapa vetëm duke kapur thelbin vlerave të ndërtuara në strukturën shoqërore, duke i ribërë kënaqësinë, gëzimin, lojën dhe pranueshmërinë, në vend të një kënaqësie të vonuar, të projektuar në të ardhmen, kufizimeve të kënaqësive, punës së lodhshme, produktivitetin dhe sigurinë.

Projeksioni i Markuzes është optimist dhe tërheqës, edhe ka jehuar në mendjen e gjeneratës së radikalëve (në kuptimin rrënjësor) politikë të viteve 60-a, dhe në thirrjen për një çlirim njerëzor, individual dhe kolektiv, në rikthimin e dinjitetit social dhe politik të njerëzve.

Në veprën e tij më të njohur Njeriu një-dimensional: Studime mbi Ideologjinë e Shoqërisë së Avancuar Industriale, Markuze kryesisht argumentoi se shoqëritë moderne afluente shtypin edhe ata që janë të suksesshëm brenda tyre, por që megjithatë ruajnë vetëkënaqësinë individuale dhe kolektive përmes një strukturimi shoqëror të bazuar në konsum.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore