Lajme

Një zgjidhje për Qeverinë e Kosovës – “ta kushtëzojë Referendumin me njohjen implicite nga Serbia”


Albin Kurti, kryeminister i Kosoves

Qeveria e Kosovës është në ngërç meqë shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia) dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar të lejojë mbajtjen e Referendumit serb me 16 janar edhe në Kosovë.

Në anën tjetër, kjo nënkupton shkelje të sovranitetit, nëse mbahet referendumi i një shteti tjetër në territorin e Kosovës.

Si zgjidhje për Qeverinë e Kosovës, do të mund të ishte që kërkesën e QUINT-it ta kushtëzonte me një kërkesë të vetën, thotë për Albanian Post, profesori i Shkencave Politike, Belul Beqaj.

“Qeveria duhet të kërkoj arsyet e shteteve të QUINT-it, në raport me interesin e Kosovës, nëse ato nuk janë kompatibile, atëherë të kushtëzohet Referendumi me njohjen implicite të shtetit të Kosovës, që nënkupton heqjen e Kosovës nga preambula e Kushtetutës të Serbisë”, thotë Beqaj për AP-në.

Edhe Beqaj, njëjtë si qeveria dhe opozita në Kosovë, e sheh mbajtjen e këtij referendumi si ndërhyrje direkte në sovranitetin e shtetit.

“Dileme s’ka se shkelet sovraniteti”, deklaron ai. “Por, sovraniteti po shkelet para syve të Qeverisë edhe në veri të Kosovës, prandaj nuk duhet te insistohet me këmbëngulje për mos mbajtjen e Referendumit e të tolerohet shkelja e sovranitetit në veri”.

Sa i përket kërkesës së QUINT-it, Beqaj e arsyeton me “interesat e tyre strategjike”, që jo me patjetër janë të njëjta me ato të Kosovës.

“Deklarimi i shteteve të QUINT-it, mbajtjen e Referendumit të Serbisë së Kosovës e shohin nga këndi i interesave të tyre strategjikë, se çfarë mund të sjell ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë në raport me synimet e tyre në Serbi, që jo domosdoshmërisht duhet të jenë kompatibile me interesin e Kosovës”.

Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike

Referendumi që pritet të mbahet në Serbi ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese atje. Qeveria deklaroi para disa ditësh që nuk do të lejohet mbajtja e këtij Referendumi edhe në territorin e Kosovës.

Në anën tjetër, shtetet e QUINT-it, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar nga qeveria që të mos ndalohet votuesi serb i Kosovës të votojë në referendum.

Gjithashtu, kanë përmendur organizimin e vendvotimeve nga OSBE-ja në Kosovë.

Mospajtimi ka bërë që të organizohet një takim urgjent mes Albin Kurtit, Vjosa Osmanit e Glauk Konjufcës me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore