Lajme

Krasniqi për Albanian Post: Qeveria të merret vesh me QUINT’in – mbajtja e referendumit, shkelje flagrante


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Si antikushtetuese e ka cilësuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi për Albanian Post.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi.

Ai konsideorn që ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, “andaj është i papranueshëm lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e një shteti fqinj”.

“Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”, theksoi ai për AP.

Referendumi që pritet të mbahet me 16 janar në Serbi ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese atje. Qeveria deklaroi para disa ditësh që nuk do të lejohet mbajtja e këtij Referendumi edhe në territorin e Kosovës.

Në anën tjetër, shtetet e QUINT-it, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar nga qeveria që të mos ndalohet votuesi serb i Kosovës të votojë në referendum.

Gjithashtu, kanë përmendur organizimin e vendvotimeve nga OSBE-ja në Kosovë.

Mospajtimi ka bërë që të organizohet një takim urgjent mes Albin Kurtit, Vjosa Osmanit e Glauk Konjufcës me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore