Muzikë

Një vit pandemi në estradën shqiptare të muzikës


Në ditën e trembëdhjetë të muajit mars të vitit të kaluar, koronavirusi u fut edhe brenda territorit të Republikës së Kosovës, duke shënuar kështu dy rastet e para me COVID-19.

Periudha e pandemisë me koronavirus solli karantinën, kufizimin i orarit të lëvizjes dhe masat parandaluese, të cilat ndikuan në shumë nga sferat jetësore përfshirë këtu edhe industrinë e muzikës dhe artin në përgjithësi.

Këngëtarët shqiptarë të prekur nga ky realitet filluan ndërprerjen e aktiviteteve muzikore, koncerteve dhe mbrëmjeve të tilla, por jo edhe pushimet dhe prurjet artistike.

Muajt e parë estrada dukej të respektonte masat, por gjërat ndryshuan kur moti filloi të ngrohej e dëshira për plazh ishte më e madhe se asnjëherë më parë.

Gjatë muajit qershor, kur fluturimet akoma nuk kishin filluar, artistë të shumtë nga Kosova e Shqipëria vërshuan kryesisht drejt një destinacioni, që ishte Vlora.

Ndër të parët që vendosën të shijonin rivierën shqiptare, ishte këngëtari Ermal Fejzullahu, i cili bashkë me gruan e tij, Arianën, lëvizen drejt brigjeve bregdetare të qytetit të Vlorës.

Përveç tij, edhe Ledri Vula me Sara Hoxhën, vendosën që për pushime të pushojnë në Vlorë. Dyshja aso kohe ishin larg njëri-tjetrit për disa muaj për shkak të pandemisë, ndërsa zgjodhën bregdetin për t’u relaksuar gjatë ditëve me diell.

Edhe, Arilena Ara, nuk pati kursyer të tregonte faktin se ishte duke pushuar plazheve të virgjëra të Vlorës.

Ishin plazhet e Dhërmisë, ato të cilat po ashtu u pushtuan nga estrada e muzikës. Një fluks i artistëve e zgjodhën këtë destinacion për tu relaksuar në qershorin e vitit të kaluar.

Listës i prin dyshja e famshme, Elita Rudi dhe bashkëshorti i saj, Gjiko, të cilët bashkë me djalin e tyre, Zërin, nuk nguruan të publikonin imazhe nga pushimet e këndshme që po bënin.


As, Enca, nuk mbeti pa bërë pushime. Edhe autorja e hitit “A po t’pelqen” për pushimet e para të verës, zgjodhi të ikte drejt Dhërmisë. Madje, ajo nuk hezitoj të postoj fotografi ku ajo shihej gjysmë e zhveshur, derisa pozonte duke u freskuar në ujin e kristaltë të detit.

Pas, Ences, edhe kolegia e saj njëkohësisht mikesha, Rina Balaj bashkë me të dashurin e saj, këngëtarin, Sin Boy, morën një rrugë për të kryer dy punë.

Xhirimet e video-klipit “Falling in love” u bënë pikërisht në Dhërmi, kohë të cilën Balaj dhe Sin Boy e shfrytëzuan edhe për të pushuar.

Krahas pushimeve, estrada shqiptare aktive u tregua edhe në lansime të projekteve të reja muzikore, të cilat përkundër kushteve të krijuara nga koronavirus, ishin të shumta në numër.

Albanian Post ju prezanton disa nga emrat e këngëtarëve më aktiv gjatë pandemisë.

Pak ditë pas depërtimit të COVID-19 në Republikën e Kosovës, këngëtarja, Dafina Zeqiri bashkë me Cricket, sollën projektin e tyre “Një herë në jetë”, i cili nuk ishte i vetmi bashkëpunim i dyshes, pasi që dy muaj më vonë ata publikuan edhe projektin pasues “A je pendu”.

Por, Zeqiri nuk u ndal me kaq. Përgjatë periudhës me koronavirus, ajo vazhdoi punën e saj duke publikuar kështu edhe disa projekte të tjera, si; këngën “Aman” në bashkëpunim me Lumi-B dhe Ledri Vulën, “Million”, “Zili Zili” dhe ”Mos shko” këngë e realizuar me Yll Limanin.

Melinda Ademi, njëra ndër rep-artistet më të suksesshme shqiptare, po ashtu ka sjellë prurje muzikore edhe gjatë pandemisë.

Ishte publikimi i free-style “24 Bars”, projekti i parë që Ademi e lansoi për fansat e saj. Me një video të thjeshtë e cila zgjat jo më tepër se 1 minutë e 22 sekonda, ajo arriti të merr mbi 8 milionë klikime në YouTube.

“Nashta” ishte projekti tjetër që Melinda zgjodhi ta publikoj verën e kaluar, pasur nga bashkëpunimi me Gjikon në këngën “X5”.

Projekti i fundit që artistja nga Mitrovica e hodhi në treg është kënga “Mëkatare”, e cila për më pak se tre muaj ka grumbulluar mbi 13 milionë klikime në YouTube.

Ndër artistët më produktiv e njëkohësisht edhe më të suksesshëm ishte edhe këngëtari, Mërgim Kida, i njohur me nofkën Kidda.

“Loca” ishtë projekti i parë i Kiddas i lansuar në periudhën pandemike. Video-klipi i kësaj kënge arriti të shikohej më tepër se 28 milionë herë në kanalin zyrtar të këngëtarit në YouTube.

Por, as Kidda nuk ndaloi me kaq. Gjatë verës ai publikoi këngën e tij “Malli” e cila u cilësua si senzacion, duke e kaluar shifrën prej 45 milionë klikimesh në YouTube. Video projekti muzikor “Cataleya” ishte i fundit i lansuar nga ai.

Edhe Tayna nuk u ndikua nga pandemia sa i përket lansimit të projekteve muzikore.

Ishte kënga “Ajo” e publikuar në version me titra, e cila u publikua në prill të 2020-tës. Kjo këngë e cila arriti të marr mbi 7 milionë klikime në YouTube, u pasua me projektet e tjera të Taynës që u shndërruan në hite, siç ishin këngët; “Bass”, “Qe Qe” dhe “Johny”.

Të njëjtin ritëm artistja nga Prizreni, po e mban edhe tash, ku vetëm gjatë vitit 2021 ka publikuar dy bashkëpunime, “Moona” me L’Alegrino, si dhe “Magdalena” me kantautorin, Flori Mumajesi.

Artistët shqiptarë u treguan produktiv duke nxjerur edhe albume gjatë një viti me koronavirus.

Rina Balaj dhe Sin Boy – publikuan albumin e tyre të titulluar “MM”, i cili përmban këngë në gjuhën shqipe, greke dhe angleze.

Njëra ndër këngët më të pëlqyera të këtij albumi ishte “GG”, të cilës dyshja i realizuan edhe video-klip.

Album publikoi edhe rep-artisti nga Shqipëria, Noizy, të cilin e titulloi “Noizy Epoka”, e që brenda tij përveç këngëve solo ka edhe bashkëpunime si kënga “Who want something” me Varrosin.

Capital-T me “Skulpturë” dhe Ledri Vula me “10/10”, ishin dy artistët tjerë kosovarë që lansuan albumet e tyre përkundër faktit të prezencës së COVID-19 në vend.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore