Shqipëria

Një tjetër zyrtar i lartë shqiptar në arrest, i vihen prangat Arlind Gjokutajt


Është kërkuar masa e arrestit me burg për sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Arlind Gjokutaj, pas një kërkese nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Së bashku me të, edhe dy shtetas të tjerë, njëri drejtor i shërbimeve mbështetëse dhe çështjeve ligjore, F.H., si edhe një përmbaruesi gjyqësor privat, A.R.

Këta shtetas kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e shtetasit I. TH., në vlerën e rreth 82 milionë lekëve, nga të cilat 50 milionë lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015.

Mbi rastin, Prokuroria ka regjistruar procedim penal në vitin 2022 dhe ka nisur hetimet.

Nga aktet e këtij procedimi, ka rezultuar se Ministria ka ekzekutuar vendimin numër 9150 datë 12 nëntor 1996, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, duke shlyer detyrimin e plotë ndaj kreditorit I.Th.

Në zbatim të vendimit, nga Ministria e Financave është transferuar në llogaritë në llogaritë e I.Th vlera prej 284 mijë e 139 lekësh, me urdhër shpenzimi nr.90 datë 27 shkurt 2015.

Më tej, rezulton se shtetasi I.Th i është drejtuar zyrës përmbarimore, e cila në kundërshtim flagrant me ligjin, ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145 milionë e 867 mijë e 920 lekësh, duke u hequr dhe trajtuar si ish-pronar shtetasin I.Th në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status.

E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë këtij shtetasi është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.2 milionë eurosh.

Deri në këtë fazë rezulton se Ministria e Financave ka kaluar në favor të shtetasit I. Th. shumën 48.118.366 lekë. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të shtetases Sh.P.

Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48 milionë e 118 mijë e 366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.

Organi procedues ka urdhëruar sekuestrimin e shumës se kaluar shtetasit I. Th. dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22 milionë lekë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka urdhëruar ndalimin e shtetasit I.Th., për veprat penale të parashikuara nga nenet 134/3 dhe 320 të Kodit Penal si dhe vazhdon hetimet në lidhje me përgjegjësinë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore