Lajme

Një takim, dy versione


Foto nga Albanian Post: Rrahman Jasharaj dhe Albin Kurti

Takimi mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Këshillit Grevist të udhëhequr nga Rrahman Jasharaj, i mbajtur të martën e 13 shtatorit në zyrat e qeverisë, në qendër kishte idenë e prodhimit të një zgjidhjeje rreth grevës së mësimdhënësve dhe nëpunësve të tjerë të shtetit, mirëpo ky takim ka përfunduar me një paqartësi shtesë.

Menjëherë pas takimit të shumëpritur, të dy palët dolën në konferencë për media, mirëpo jo të dy palët treguan të njëjtin version për atë se çfarë kishin biseduar në këtë takim.

Kryeministri Kurti tha se sindikalistët po tregohen kryeneçë, sepse nuk po lëvizin nga shuma prej 100 eurove të cilat i kanë kërkuar që nga fillimi i grevës.

“Kanë kërkuar 100 euro, ne u kemi thënë 50, ata ose krejt ose hiç, nuk është e mirë kjo logjikë e shantazhit”, deklaroi ai.

“Pra, kërkuan 100 euro, jemi dakorduar për 50 euro, por të kërkosh përmbushje të plotë të kërkesës është edhe e palogjikshme edhe e rrezikshme”, vazhdoi kryeministri.

Atë çfarë e deklaroi kreu i qeverisë, e përforcoi zëdhënësi i tij, Përparim Kryeziu, në një paraqitje televizive, ku këtë kërkesë të sindikalistëve e cilësoi si “arbitrare”.

“Ne kemi një palë e cila ka një kërkesë arbitrare nga e cila nuk lëvizë sepse strategjia e negocimit të tyre është o të gjitha, o fare. Ndërsa ne kemi lëvizur nga zero në 50 euro shtesë për sektorin publik”, tha Kryeziu në Kanal 10.

Nga ana tjetër, Rrahman Jasharaj, figura kryesore që po udhëheqë grevën në Kosovë, pas takimit ka deklaruar se ata ishin gati për një kompromis, por qeveria nuk po lëvizë nga pozicioni i saj.

“Ne ishim gati të bëjmë këtu një kompromis të vogël për hir të situatës, por qeveria mbeti te shuma e proklamuar”, theksoi ai.

Se cili ishte ky kompromis e sqaroi më vonë edhe Nexhat Llumnica, anëtar i Këshillit Grevist, i cili tha se kreu i qeverisë, nuk ua ka pranuar propozimin për uljen e shtesës nga 100 në 80 euro.

“Ne kemi ofruar një opsion tjetër, kemi thënë se po tërhiqemi nga kërkesa për 100 euro, qe 80 euro”, ka deklaruar Llumnica në RTV Dukagjini.

Sipas këtyre dy versioneve të ndryshme të deklaratave, njëra palë nuk po e thotë të vërtetën.

Për pasojë nxënësit i zë edhe një mëngjes pa marrë rrugën për në shkollë.

I gjithë ky lëmsh filloi kur SBAShK-u, shpalli grevën e përgjithshme në arsim dhe në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, si pasojë e mos përmbushjes së kërkesës së tyre për rritje page në vlerë prej 100 eurove nga ana e Qeverisë, të paktën deri sa të miratohet Projektligji për Paga.

Qeveria e Kosovës, në krye me Albin Kurtin, fillimisht propozoi pesëdhjetë euro më shumë për mësimdhënësit, në kuadër të një pakoje me të cilën kishte menduar të zgjidhte këtë nyje, por kjo përpjekje rezultoi e kotë, sepse greva nuk u ndal.

Madje, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Edhe pas këtij “kërcënimi” greva vazhdoi.

Përpjekje bëri edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila u takua me Këshillin e Grevistëve, por edhe kjo përpjekje rezultoi pa sukses.

Hendekun e papajtueshmërisë e thelloi edhe më shumë kryeministri i Kosovës, kur për grevistët tha se janë një grup personash që prodhojnë analfabetë funksionalë që pas shkollës “ose futën në skema sociale ose bëhen punëtorë krahu në Gjermani”.

Aktualisht, shumica dërrmuese e mësimdhënësve vazhdojnë të jenë në grevë, bashkë me një pjesë të madhe të nëpunësve civilë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore