Lajme

Një në 23 njerëz do të ketë nevojë për ndihmë humanitare në vitin 2023


Në vitin 2023, numri i atyre që do të kenë nevojë për ndihmë humanitare do të rritet me më shumë se një të katërtën nga viti i kaluar.

Kështu ka paralajmëruar OKB-ja.

E gjitha vjen pasi kriza klimatike, lufta në Ukrainë dhe kriza më e madhe globale e ushqimit në historinë moderne do t’i dërgojë miliona njerëz në prag të urisë.

Një rekord prej 339 milionë njerëzish, një rritje prej 65 milionë në krahasim me vitin e kaluar, do të vuajnë vitin e ardhshëm si rezultat i “ngjarjeve ekstreme” të vitit 2022.

Po ashtu ata do të kenë nevojë urgjente për ndihmë, sipas Martin Griffiths, nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështjet humanitare.

OKB-ja dhe agjencitë partnere po kërkojnë nga donatorët 51.5 miliardë dollarë për të financuar përpjekjet e ndihmës, një tjetër shifër rekord dhe një rritje prej 25 për qind në fillim të vitit 2022.

Sipas tyre, teksa shumica e donatorëve kanë mbetur relativisht bujarë, nevojat janë rritur.

Pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre dhe ka shkatërruar objektet themelore shëndetësore, përkeqësoi një krizë më të gjerë ushqimore për shumë vende – si Somalia, Afganistani dhe Jemeni – që po përballeshin me ndikimin shkatërrues të konflikteve të brendshme.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka thënë se nuk ka dyshim se viti 2023 do të përjetësojë këto tendenca veçanërisht në krizën klimatike.

Për të, shifra prej 339 milionësh – ose një në 23 njerëz – është “ekuivalente me vendin e tretë më të populluar në botë, kështu që është një numër fenomenal dhe një numër dëshpërues”.

Ata që parashikohet të kenë nevojë për ndihmë janë të shpërndarë në 68 vende, por në dhjetë prej tyre, ku OKB-ja ka zbuluar plane të ndihmës humanitare që kushtojnë më shumë se një miliard dollarë, nevojat janë veçanërisht të larta.

Këto vende përfshijnë Afganistanin, Sirinë, Jemenin, Ukrainën, Etiopinë, Republikën Demokratike të Kongos dhe Somalinë, e cila është në prag të urisë.

OKB-ja dhe partnerët duan të jenë në gjendje të arrijnë 230 milionë nga ata në nevojë, me shpresën se organizatat e tjera dhe donatorët dypalësh do të mbulojnë 109 milionë të mbetura.

Mirëpo, financimi është një shqetësim kryesor. Përpjekjet e ndihmave humanitare të këtij viti morën vetëm 44 për qind të burimeve të nevojshme.

Dhe sipas Griffiths, nuk ishte faji i donatorëve, shumica e të cilëve kishin mbajtur nivele të shpenzimeve të ndihmës.

Problemi ishte shkalla e madhe e krizave të shumta dhe të ndërlidhura me të cilat përballej një pjesë e madhe e popullsisë së botës.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore