Shqipëria

Një hap larg “Regjistrit kombëtar të autorëve të krimeve seksuale”


Mes zhvillimeve të vrullshme politike, të martën e 14 dhjetorit, Komisioni për Sigurinë Kombëtare (KSK) miratoi në parim dy projektligje.

Këto të fundit, i referohen krijimit të një regjistri kombëtar – të të dënuarve për krime seksuale dhe autorëve të veprave penale me natyrë seksuale.

Në drejtimin e nënkryetarit Xhemal Qefalija,komisioni mori fillimisht në shqyrtim projektligjin “Për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”.

Më pas u shqyrtua dhe projektligji “Për krijimin e regjistrit kombëtar të autorëve të veprave penale me natyrë seksuale”.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët, komisioni miratoi në parim të dyja projektligjet.

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Erisa Xhixho ishte pjesë e punimeve në cilësinë e propozueses.

Xhixho sqaroi gjatë fjalës së saj se projektligji është përgatitur në bashkëpunim me një ndër organizatat kryesore të shoqërisë civile CRCA.

Ndërsa relatorja për komisionin, Antoneta Dhima, zbuloi se nisma për hartimin e këtij projektligji u arrit nga mbledhja e 21 mijë nënshkrimeve.

Ndërtimi i situatës

“Zëri ynë duhet sot, më i fortë se kurrë. E nesërmja është vonë dhe nuk do na e falë heshtjen”.

Kështu do të shprehej Xhixho, të shtunën e 6 nëntorit, përsa i përket dhunës që ushtrohet kundrejt grave dhe vajzave.

Nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, deputetja e LSI-së pohonte se kishte depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, projektligjin për krijimin e Regjistrit të Krimeve Seksuale.

Shkas u bë dhunimi i ushtruar ndaj një vajzë 6-vjeçare nga i ati dhe përdhunimi që në moshën 12-vjeçare i një tjetër vajze nga një familjar mbi 50 vjeç.

“Dhuna ndaj fëmijëve e grave sipas studimit 10-vjeçar të CRCA/ECPAT Shqipëri “Krimet Seksuale ndaj Fëmijëve dhe Grave në Shqipëri, gjeti se të paktën 65% e krimeve seksuale kryen ndaj fëmijëve, përgjithësisht vajzave”.

Sipas Xhixhos, krijimi i këtij regjistri duhet të jetë instrument për të luftuar dhe parandaluar krimet seksuale.

“Hartimi i këtij projektligji është diktuar nga nevoja për krijimin e një mekanizmi ligjor-institucional efektiv, parandalues për mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve, grave dhe çdo viktime seksuale të mundshme nga grabitqarët seksualë”, theksonte Xhixho në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore