Shqipëria

LSI depoziton në Kuvend projektligjin për “Regjistrin e Krimeve Seksuale”: E nesërmja është vonë


“Zëri ynë duhet sot, më i fortë se kurrë. E nesërmja është vonë dhe nuk do na e falë heshtjen”.

Kështu është shprehur deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, të shtunën e 6 nëntorit, përsa i përket dhunës që ushtrohet kundrejt grave dhe vajzave.

Nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, Xhixho ka bërë me dije se ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, projektligjin për krijimin e Regjistrit të Krimeve Seksuale.

Xhixho ka marrë shkas nga dhunimi i fundit i ushtruar ndaj një vajzë 6 vjeçe nga i ati dhe përdhunimi që në moshën 12-vjeçare të një tjetër vajze nga një familjar mbi 50 vjeç.

“Dhuna ndaj fëmijëve e grave sipas studimit 10-vjeçar të CRCA/ECPAT Shqipëri “Krimet Seksuale ndaj Fëmijëve dhe Grave në Shqipëri, gjeti se të paktën 65% e krimeve seksuale kryen ndaj fëmijëve, përgjithësisht vajzave”.

Sipas Xhixhos, krijimi i këtij regjistri duhet të jetë instrument për të luftuar dhe parandaluar krimet seksuale.

“Hartimi i këtij projektligji është diktuar nga nevoja për krijimin e një mekanizmi ligjor-institucional efektiv, parandalues për mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve, grave dhe çdo viktime seksuale të mundshme nga grabitqarët seksualë”, thekson Xhixho në Facebook.

Përveç kësaj ky Regjistër, vijon Deputetja duhet të jetë një mjet efektiv për të identifikuar vendndodhjen e të dënuarve për krime seksuale dhe monitorimin i aktivitetit të tyre.

“Të gjithë që mund të kontribuojnë me mendime sugjerime për të miratuar një ligj që i shërben mbrojtjes së fëmijëve, grave nga dhunuesit seksualë”, e mbyll Xhixho.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore