Lajme

Një grua shqiptare nga Gostivari ‘terrorizohet’ në Serbi – kapen pas shqiponjës në bluzën e 9-vjeçarit


Ilustrim

Policia e Serbisë ka ndaluar dhe gjobitur të mërkurën një familje shqiptare nga Maqedonia e Veriut afër Beogradit, për shkak se djali i tyre 9-vjeçar kishte të veshur një bluzë kuz-e-zi me simbolin kombëtar të shqiptarëve – shqiponjën dy krenare – transmetojnë gazetat shqiptare atje.

Familja shqiptare nga Gostivari raportohet se ishte mbajtur peng që nga 23 gushti, ndërsa para autoriteteve serbe të drejtësisë është paraqitur të enjtën nëna së bashku me djalin 9-vjeçar, ndaj së cilës është shqiptuar një gjobë prej afër 500 euro dhe është shpallur “person non grata” deri në vitin 2031.

Ambasadori i Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, ka reaguar nëpërmjet platformës “X” duke e cilësuar të tmerrshëm rastin në fjalë, por jo edhe të habitshëm për insitucionet kosovare, përveç një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët, sipas tij, ende besojnë në “politikën e qetësimit” të presidentit serb.

”Një shqiptare nga Maqedonia e Veriut është mbajtur në paraburgim dhe është detyruar të paguante një gjobë në Serbi vetëm sepse djali i saj 9-vjeçar kishte veshur një bluzë me shqiponjën kuq e zi”, ka shkruar diplomati kosovar të enjten në llogarinë e tij.

E përveç pritjeve të gjata dhe fyerjeve, shqiptarët që kalojnë nëpër Serbi shpesh janë përballur me gjoba të pajustifikueshme, madje edhe janë arrestuar e keqtrajtuar nga autoritetet serbe për arsyet më absurde, veçanërisht shqiptarët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore