Lajme

Një grua jemenase lind foshnjën pas nxjerrjes nga rrënojat e tërmetit


Një nënë jemenase që iku nga lufta në vendin e saj ka sjellë në jetë një vajzë dhjetë orë pasi u shpëtua nga shtëpia e goditur nga tërmeti në Turqi.

Faten Al Yousifi, e cila ishte 39 javë shtatzënë, kishte gati një çantë lindjeje kur tërmeti goditi banesën e saj në Malatya, pak pas orës 4 të mëngjesit të së hënës së kaluar.

Pas dhjetë orësh të përkulur – e trullosur, e dehidratuar dhe nga frika për sigurinë e fëmijës së saj të palindur – ajo u nxor nga rrënojat nga një mik i familjes, Hisham, dhe punonjësit e shpëtimit.

“Nuk besoja se isha ende gjallë”, tha Faten për britaniken “BBC” përmes WhatsApp të enjten.

Ajo u dërgua me urgjencë në spital ku mjekët kryen një prerje cezariane për të lindur vajzën e saj Loujain, që do të thotë “argjend” në arabisht.

Por më pas erdhi tragjedia.

Hishami u kthye për të shpëtuar burrin e Fatenit dhe u trondit kur pa një ndërtesë aty pranë ishte shembur në majë të banesave të tyre.

Bashkëshorti i Fatenit, 29-vjeçari Burhan Al Alimi, kishte vdekur.

Trupi i tij u gjet tre ditë më vonë.

Ai ishte në vitin e fundit të studimeve për inxhinieri kimike në Universitetin Inonu në Malatya.

Si çdo nënë e re, Faten është e privuar nga gjumi dhe përpiqet të përshtatet me rutinat e të ushqyerit dhe të gjumit të të porsalindurit.

“Fillimi ishte shumë i vështirë, sidomos me rrethanat”, tha ajo.

Megjithatë, ajo është mirënjohëse.

“Falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan dhe qëndruan me mua”, tha ajo.

“Kam pasur një familje kur e imja nuk ishte atje”.

Që nga ardhja e Loujain, ka pasur një vërshim dashurie dhe mbështetjeje nga të mbijetuarit e tërmetit në komunitetet jemenase dhe turke.

Faten është vendosur me një mik në Kocaeli, më afër Stambollit.

Dhe ambasadori i Jemenit në Turqi, Muhammad Tariq, e ka vizituar foshnjën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore