Lajme

Një ditë pas fillimit të renovimit nga Ministria e Kulturës, digjet objekti i vjetër i Gjimnazit të parë në Ferizaj


Objekti i Gjimnazit të parë bë Ferizaj, "Ismail Qemajli"

Objekti i vjetër i Gjimnazit në qytetin e Ferizajt është përfshirë nga zjarri.

Zëdhënsi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë për Albanian Post se janë njoftuar rreth orës 4e25 për këtë rast dhe menjëherë i kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme.

“Policia ka pranuar një informacion për një incident zjarri në objektin e vjetër të kësaj shkolle në rrugën Ramadan Rexhepi. Ekipet e policisë e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë lokalizuar zjarrin. Hetimet po vazhdojnë lidhur me këtë incident”.

Objekti ka qenë jashtë funksionit dhe nuk ka të lënduar, ka shtuar Veseli.

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Haliti, që vjen nga Ferizaj, ka reaguar në llogarinë e tij në Facebook, duke ftuar organet e rendit për hetim të këtij rasti.

“Krimi i organizuar dëshiron që ta shlyejë historinë e Ferizajt. Sot për herë të katërt ose të pestë i vihet flaka objektit të mbrojtur të trashëgimisë kulturore, ish Gjimnazit të parë shqiptar Ismail Qemali në Ferizaj”, ka shkruar Haliti.

“Ftoj organet e rendit që ta hetojnë dhe të zbulohet urdhër dhënësi i këtij krimi”.

Një ditë pas fillimit të renovimit nga Ministria e Kulturës, objekti i vjetër i Gjimnazit përfshihet nga flakët

Zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci, në një prononcim për Albanian Post ka thënë se ky objekt i takon trashëgimisë kulturore dhe si i tillë është nën përgjegjësinë dhe kompetencat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit.

Marefci tregon se një ditë më parë Ministria e Kulturës kishte filluar punimet për restaurimin e këtij objekti.

“Dje kanë filluar punimet e vrazhda t’i kryejnë, me i heqë objektet e mëdha brenda. Fatkeqësisht dje ka filluar Ministria e Kulturës të bëj renovimin e këtij objekti, sepse është projekt i Ministrisë së Kulturës. Është objekt me trashëgimi kulturore dhe i takon me automatizëm nivelit qendrorë. Policia është duke u marrë me rastin dhe po shpresojmë që sa më shpejt të dihen shkaktarët e zjarrit dhe fajtorët të vihen para drejtësisë”, ka thënë Marevci për AP.

Më tej zëdhënësi Selimi ka treguar se para pak vitesh vetë komuna ka qenë e gatshme të investoj në këtë objekt me ndihmë financiare nga BE, por nuk është lejuar nga Ministria e Kulturës.

“Në vitin 2021 komuna e Ferizajt e kishte fituar një projekt nga Bashkimi Evropian për restaurim. Por, në atë kohë Ministria nuk na ka lejuar që të vazhdojmë me projektin, me arsyetimin se është objekt i destinuar për shkollë e arsyetime të ngjashme, nuk na kanë lejuar të vazhdojmë tutje”, tregon Marevci.

“Na kanë thënë se e marrim përsipër vet, e kanë marrë. Deri dje ka qenë situatë e rëndë, sepse ka pas shumë të rinj të cilët e kanë frekuentuar për të përdorur substanca narkotike. Ky vend ka qenë vatër e tyre. Për këtë fenomen ka qenë e njoftuar edhe ministria edhe policia. Ne ju kemi bërë kërkesa që në mënyrë imediate me fillu punimet pavarësisht që shumë kohë më parë ka qenë prioritet i tyre, ashtu na kanë thënë, por ata vonë kanë fillu me punime”, përfundon Marevci.

Objekti i gjimnazit të parë në qytetin e Ferizajt “Ismail Qemalji”, që llogaritet të jetë diku 150 vjet i vjetër, vite më parë ishte përfshirë nga zjarri. Kjo zjarrëvënie llogaritet të jetë e dyta.

Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit: Gjimnazi do të restaurohet, deshën apo jo keqbërësit

Pas lajmit për zjarrvënien e objektit të parë të Gjimnazit në Ferizaj, ka reaguar vetë ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit në Kosovë, Hajrullah Çeku.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Çeku ka thënë se projekti i restaurimit do të realizohet deshën apo jo ata që i vunë flakën.

“Kontratën për restaurimin e gjimnazit të vjetër e patëm nënshkruar javën e kaluar. Dje kanë nisur punimet, ndërsa sot në orët e para të mëngjesit ia vunë flakën. Ky është krim. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”.

“Gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali’ në Ferizaj do të restaurohet, i pëlqeu apo jo keqbërësve. Trashëgimia jonë kulturore është më e rëndësishme se interesat tuaja të ngushta. Metodat e porositë mafioze nuk na ndalin”, ka përfunduar reagimin publik ministri.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore