Lajme

Një delegacion i Kongresit të SHBA-së viziton Kosovën


Në Kosovë këtë të marte po qëndron për vizitë në Kosovë një delegacion i Komisionit të Partneritetit për Demokraci i Kongresit të SHBA-së.

Me përfaqësuesit e këtij delegacioni pritet të takohet kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në orën 10:00.

Edhe në faqen e Partneritetin për Demokraci në Dhomën e Përfaqësuesve, kanë njoftuar për këtë vizitë

“Partneriteti për Demokraci në Dhomën e Përfaqësuesve, po punon ngushtë këtë javë me Parlamentin e Kosovës për çështjet që kanë të bëjnë me kërkimin dhe arkivimin – elemente kritike për llogaridhënien dhe profesionalizmin e legjislaturës”, kanë njoftuar në Twitter.

Ndryshe, këtë muaj në SHBA po planifikonin të shkonin disa ministra e kryetar komunash nga Kosova për vizitë zyrtare, por që u shtynë siç u tha për shkak të zhvillimeve të fundit në Veri.

Disa media në Kosovë raportuan se ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, i ishte refuzuar viza nga SHBA-ja, por Haxhiu e ka mohuar.

“Marrë parasysh situatën aktuale politike në vend, bashkërisht kemi konsideruar se duhet ta shtyjmë për një datë më të përshtatshme vizitën. Lajmet se më është refuzuar viza dhe lajmet tjera lidhur me vizitën, ndryshe nga ky shpjegim, nuk qëndrojnë pra janë të pavërteta”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Për këtë cështje ishte pyetur nga gazetarët edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier.

Ky i fundit tha se “nuk sheh ndonjë rrethanë” për diçka të tillë.

Megjithatë, shtoi ai, Kosova tani “është në krizë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore