Muzikë

Një album i ri nga Eminem po vjen më vonë këtë vit


Ka arritur koha për muzikë të re nga rep artisti ikonik Eminem – kështu të paktën ka zbuluar kolegu i tij, i cili së fundmi u nderua me një yll në “Hollywood Walk of Fame”, Dr. Dre.

Gjatë paraqitjes së Dr. Dre në emisionin “Jimmy Kimmel Live”, rep artisti e producenti zbuloi se albumi i 12-të i Eminem-it është aktualisht në procesin e realizimit dhe do të publikohet “këtë vit”.

“Më lejoni t’ju them diçka, më lejoni t’ju shpjegoj diçka tani – Eminem është duke punuar në albumin e tij që do të dalë këtë vit”, tha Dre.

“Dhe unë në fakt fola me të, dhe ai tha se ishte në rregull për ta dhënë këtë lajm ekskluziv pikërisht këtu në këtë emision. Pra, ai ka një album që do të dalë – unë kam këngë në të dhe është e përsosur”, detajoi tutje Dre.

Pavarësisht se ka bashkëpunuar me Eminem, në projektin e ardhshëm, bashkëthemeluesi i “Death Row Records” pranoi se nuk është i sigurt se si do të tingëllojë rezultati përfundimtar për publikun.

Albumi më i fundit origjinal në studio i yllit të “8 Mile”, “Music to Be Murdered By”, u publikua në vitin 2020 dhe solli hitin “Godzilla” me Juice Wrld, i cili arriti kulmin në vendin e tretë në Billboard Hot 100.

Eminem vazhdoi projekt me “Music to Be Murdered By – Side B” në të njëjtin vit dhe më vonë publikoi albumin e hiteve më të mira “Curtain Call 2” në vitin 2022.

Përndryshe, Dre së u shfaq goxha i emocionuar në ceremoninë e zbulimit të yllit të tij në bulevardin e famës “Hollywood Walk of Fame”, derisa aty për ta përgëzuar kishin ardhur edhe më të dashurit e tij.

Jimmy Iovine, i cili është bashkëthemeluesi i “Dre’s Beats Electronics” dhe CEO i “Interscope Geffen A&M”, dhe mik i vjetër dhe bashkëpunëtori i tij, rep artisti Snoop Dogg secili mbajtën fjalime në event.

Të pranishëm në audiencë ishin edhe dy ikonat e rep muzikës, Eminem dhe 50 Cent.

“Isha me fat që jetoja duke bërë punën që dua. A nuk është kjo një ëndërr? Përgjatë karrierës time, kam pasur nderin të gjej e të edukoj talent të rinj si dhe të shtyj kufijtë në fushën e hip-hopit përmes përmbajtjes së materialeve”, ka thënë Dre.

Dr. Dre nderohet me një yll në “Hollywood Walk of Fame”, Eminem e Snoop Dogg ishin aty për ta mbështetur

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore