Lajme

Një 16-vjeçar në Paris ndërron jetë, motoçikleta e tij përplaset me makinën e policisë


Një 16-vjeçar ka humbur jetën pas një përplasjeje me motoçikletë me një makinë policie në Elancourt, në periferi të Parisit.

Referuar të dhënave të policisë, djali nuk ka ndalur dy herë dhe ka goditur një makinë patrullimi.

Oficerët kishin ndërhyrë për ta ndaluar adoleshentin, i cili po ngiste një motoçikletë, pa helmetë dhe po ecte me shpejtësi të madhe ndoshta si pjesë e një gare me motorë të paautorizuar.

Tony Vallée , delegat i sindikatës për policinë, ka treguar se adoleshenti u largua dy herë pasi nuk pranoi të ndalonte për një kontroll.

Sipas Prokurorisë, një makinë policie e ka ndjekur “në distancë”, por ai është përplasur me një makinë të dytë.

Fotot tregojnë dëmtime të derës, parafangos dhe xhamit të automjetit të policisë.

Kurse goma e përparme e motoçikletës duket e deformuar nga goditja.

Ndihma e parë kishte dhënë pak shpresë pas një arresti kardiak dhe djali u transferua në spitalin Beaujon në Clichy.

Por ai ndërroi jetë disa orë më vonë.

Ai kishte një histori armëmbajtje pa leje dhe ngacmimi ndaj një bashkëmoshatari.

Sakaq, dy policët që drejtonin makinat e përfshira u arrestuan sipas procedurës.

Ndërkaq po vijojnë dy hetime, për “vrasje pa dashje” dhe për “rezistencë ndaj arrestit”.

Disa zona gri mbeten në pritje për të parë nëse kamerat e vëzhgimit kanë regjistruar atë që ndodhi.

Një dëshmitar ka treguar se e kishte thirrur vetë ambulancën, duke këmbëngulur se askush nuk e kishte bërë deri në atë moment.

Të mërkurën në mbrëmje, një ekip policësh  u vendos në Elancourt për të parandaluar rrezikun e trazirave të reja.

Nga fundi i qershorit deri në fillim të korrikut, Franca përjetoi trazira të rënda pas vdekjes së 17-vjeçarit Nahel Marzouk , i vrarë nga një polic gjatë një kontrolli rrugor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore