Lajme

Nis zyrtarisht periudha post-Netanyahu në Izrael


Të dielën e 13 qershorit, u votua dhe u zgjodh Kryeministri i ri i Izrael-it, i cili do jetë Naftali Bennett. Qeveria e re pritet të betohet, pas mandatimit të tij si kryeministër.

Koalicioni qeverisës bashkon ekstremin e majtë dhe të djathtë. Për herë të parë përfshihet dhe një fraksion i vogël islamik, i pakicave arabe të Izraelit.

Naftali Bennett – Kryeministër

Bennett drejton partinë ultranacionaliste Yamina (e Djathta). Ajo mbështet vendbanimet e okupuara hebreje në Bregun Perëndimor.

Ai ka ngritur pasurinë e tij në teknologjinë e lartë izraelite. Kjo, përpara se t’i futej politikës në vitin 2013. Ai ka shërbyer në qeveritë e mëparshme të drejtuara nga Netanyahu. Së fundi ishte ministër i Mbrojtjes.

Bennett ka deklaruar se ai po bashkohet me kundërshtarët për të shpëtuar vendin nga një periudhë trazirash politike. Ai kundërshton krijimin e një shteti të pavarur palestinez.

Sipas marrëveshjes së koalicionit, Bennett do të shërbejë si kryeministër për dy vjet, derisa të zëvendësohet nga Yair Lapid.

Yair Lapid – Ministër i Jashtëm

Lapid kryeson partinë qendrore Yesh Atid (Ekziston një e Ardhme) dhe ishte mendja dhe arkitekti prapa qeverisë së re. Partia e tij është më e madhja në koalicion por ai pranoi të ndajë pushtetin me Bennett për të siguruar një shumicë parlamentare.

Ai u largua nga puna e tij si prezantues TV-je në 2012 dhe formoi partinë e tij. Ai kandidoi me premtimin për të lehtësuar presionet financiare mbi klasën e mesme.

Lapid gjithashtu kërkon t’i japë fund shumë prej privilegjeve të financuara nga shteti që gëzojnë hebrenjtë ultra-ortodoksë.

Ai fillimisht shërbeu si ministër i Financave përpara se të kalonte në opozitë.

Lapid do të shërbejë si ministër i Jashtëm për dy vjet dhe më pas do të marrë detyrën e kryeministrit deri në fund të mandatit.

Benny Gantz – Ministër i Mbrojtjes

Vetëm dy vjet më parë Gantz, një ish-shef ushtarak në krye të partisë qendrore Blu dhe Bardhë, ishte shpresa më e madhe opozitare për të larguar Netanyahu-n.

Por ai pranoi të bashkohej me Netanyahu-n në një qeveri “uniteti”, një vendim që zemëroi shumë mbështetës të tij.

Ai do të jetë pjesë e koalicionit të ri, duke mbetur në postin e ministrit të Mbrojtjes.

Avigdor Lieberman – Ministër i Financave

Një emigrant i ekstremit të djathtë nga Moldavia, i cili jeton në një vendbanim izraelit në Bregun Perëndimor. Lieberman ka qenë një kartolinë politike gjatë dekadës së fundit. Ai është bashkuar me qeveritë e Netanyahu-t.

Si ministër i financave, ai do të duhet të frenojë një deficit buxhetor që u rrit gjatë krizës së coronavirus-it.

Ai ka thënë gjithashtu se do të përpiqet të ndryshojë status quo-në midis qeverisë dhe pakicës ultra-Ortodokse të fuqishme politike të Izraelit, e cila është një shtyllë kryesore e qeverisë në largim të Netanyahu-t.

Gideon Saar – Ministër i Drejtësisë

Saar ishte rivali kryesor i Netanyahu-t brenda Likud-it, por Netanyahu bëri çmos për ta mbajtur atë larg vëmendjes dhe larg portofoleve të nivelit më të lartë. I irrituar, Saar nisi një ofertë të dështuar për lidershipin dhe më pas u largua nga partia e tij.

Si kreu i partisë “Shpresa e Re”, Saar do të jetë ministër i Drejtësisë, ku ai do të mbikëqyrë sistemin ligjor dhe të bëhet një anëtar i kabinetit të sigurisë.

Mansour Abbas

Lista e vogël arabe e Bashkuar e Mansour Abbas-it do të jetë partia e parë në një qeveri izraelite e votuar nga pakica arabe 21% e Izraelit. Ai është palestinez nga kultura dhe trashëgimia, por me shtetësi izraelite.

Ai u nda me politikanë të tjerë arabë që preferojnë të qëndrojnë jashtë qeverisë duke lënë mënjanë mosmarrëveshjet me Bennett dhe të djathtët e tjerë për të larguar Netanyahu-n.

Abbas pritet të shërbejë si zëvendësministër në zyrën e kryeministrit. Ai synon të negociojë një rritje të madhe të shpenzimeve qeveritare në qytete dhe fshatra arabe.

Por prania e tij është një faktor potencialisht destabilizues. Ai është kritikuar nga palestinezët për pranimin e mbështetjes së një qeverie izraelite.

Marrë dhe Përshtatur nga Reuters për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore