Lajme

Nis kërkimi i ri nga ajri për aktorin Julian Sands në Kaliforni


Në Kaliforni, policia ka rinisur kërkimin nga ajri për aktorin e zhdukur britanik Julian Sands.

Më parë, përpjekjet u penguan nga kushtet e pafavorshme të motit pasi shteti amerikan është goditur nga stuhitë vdekjeprurëse.

Nuk ka asnjë shenjë të 65-vjeçarit që prej zhdukjes së tij më 13 janar.

Sands kishte qenë duke ecur në zonën Baldy Bowl të maleve San Gabriel, në veri të Los Angeles-it, kur u zhduk.

Sakaq, autoritetet kanë bërë me dije se do të përdorin një helikopter nga Patrulla e Autostradave të Kalifornisë, i cili mban një pajisje që mund të zbulojë “material reflektues dhe në disa raste, karta krediti”.

Dhe se përdorimi i mjetit RECCO mund të ndihmojë policinë “të përcaktojë një zonë ku ne mund të fokusojmë përpjekjet tona të kërkimit”.

Po ashtu është njoftuar se një tjetër alpinist, i cili ishte zhdukur në të njëjtën zonë, u gjet i gjallë.

Ai u emërua nga mediat lokale si Jin Chung. Ai ishte zhdukur për rreth 48 orë, kohë gjatë së cilës ai pësoi disa “probleme të lidhura me motin dhe një lëndim në këmbë”.

Gjatë disa javëve të fundit, autoritetet lokale kanë lëshuar shpesh deklarata duke u bërë thirrje alpinistëve të shmangin zonat e rrezikshme malore “pavarësisht masave paraprake të marra”, duke thënë se kushtet e kanë bërë të vështirë vendosjen e burimeve në atë zonë kur një alpinist zhduket.

Javën e kaluar, ortekët në zonë penguan përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit për Sands.

Familja e tij ka falënderuar autoritetet amerikane për përpjekjet e tyre për të gjetur aktorin, i cili është shfaqur në dhjetëra filma dhe shfaqje televizive, duke përfshirë rolin kryesor në romancën e vitit 1985 “A Room With A View”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore