Lajme

Nikola Gruevskit i zvogëlohet dënimi


Nikolla Gruevski

Nikolla Gruevskit, ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, i arratisur që nga viti 2018 në Hungari, i është zvogëluar dënimi në vetëm 3 vite e gjysmë nga 25 vite e gjysmë sa ishte dënuar për vepra të ndryshme penale gjatë qeverisjes së tij përgjatë viteve 2006-2016.

Gruevski, pas ndjekjes nga organet gjyqësore maqedonase për shpërdorim detyre ishte arratisur për në Hungari, duke i ikur kështu vuajtjes së dënimit që ia kishin caktuar organet kompetente maqedonase.

Gjykata e Apelit të hënë ka vendosur ndërprerjen e të gjitha proceduarave gjyqësore për rastin “TNT”, që ka të bëjë me shembjen e një objekti afarist në vitin 2011, për shkak të vjetërsimit të lëndës, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Për shkak të kësaj vepre ish-kryeministri maqedonas ishte dënuar me 9 vite burgim, nën akuzën për shpërdorim detyre dhe rrënim të objektit si hakmarrje politike, teksa vlera e dëmit të shkaktuar ishte llogaritur rreth 11 milionë euro.

Për këtë vepër Nikolla Gruevski ishte dënuar me 9 vjet burgim, nën akuzën për shpërdorim të detyrës dhe rrënimin e objektit si hakmarrje politike. Vlera e dëmit të shkaktuar llogaritet të ketë qenë rreth 11 milionë euro.

Ndërsa, me shtatë vjet burgim Gruevski ishte dënuar për disa parcela tokë ndërtimore në një zonë në malin “Vodno” të Shkupit, por edhe kjo lëndë është në gjykim të shkallës së dytë të Apelit. Mirëpo, me ndryshimet diskutabile në Kodin Penal pritet që të vjetërsohet.

Nga ana tjetër, ish-kryeministri maqedonas ishte dënuar për shpërdorimet për ndërtimin e selisë së partisë që ai e udhëhiqte, VMRO-DPMNE-së në qendër të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, mirëpo edhe kjo lëndë është në procedurë të vlerësimit në Gjykatën e Apelit.

Aktualisht, dënim në fuqi për Gruevskin mbetet ai për shpërdorim detyre, që ka të bëjë me furnizimin e qeverisë me një makinë luksoze në vlerë prej 600 mijë eurosh, për të cilën ai ishte dënuar me dy vjet burgim.

Po ashtu, për Gruevskin mbetet në fuqi edhe një gjykim tjetër.

Ai ishte dënuar për dhunën e ushtruar në një komunë të Shkupit ndaj një zyrtari që ishte bërë me urdhër të Gruevskit, për të cilën ishte dënuar me 18 muaj burgim.

Ndërkaq, ai po përballet edhe dy gjykime tjera që ka të bëjë me dhunën në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, më 27 prill 2017 – ku deputeti shqiptar Ziadin Sela, kishte mbetur i lënduar rëndë – dhe ndërhyrjen në proceset zgjedhore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore