Lajme

Nigeri, arratisen më shumë se 1 mijë e 800 të burgosur


Më shumë se 1 mijë e 800 të burgosur janë arratisur nga një burg në Nigeri, pasi u sulmua nga njerëz të armatosur.

Sipas zyrtarëve, agresorët mendohet se kanë hyrë brenda oborrit të burgut, në qytetin juglindor të Owerri-t, duke përdorur lëndë eksplozive për të shpërthyer bllokun administrativ.

Gjashtë të burgosur thuhet se janë kthyer, ndërsa 35 nuk pranuan të arratiseshin.

Policia ka akuzuar grupin e ndaluar separatist, Indigjenët e Biafra-s, për kryerjen e sulmit.

Shërbimi Reformues Nigerian ka konfirmuar se 1 mijë e 844 të burgosur u arratisën nga burgu në shtetin Imo.

Njerëz të armatosur rëndë u sulën drejt Qendrës së Kujdestarisë Owerri, në orët e para të së hënës, pasi mbërritën me kamionë dhe autobusë, tha punonjësi i shërbimit.

Një zëdhënës i policisë u shpreh se sulmuesit mbanin bomba me raketa, mitraloza, eksplozivë dhe pushkë.

Presidenti Muhammadu Buhari e quajti sulmin një “akt terrorizmi” të kryer nga “anarkistët”. Ai u bëri thirrje forcave të sigurisë për kapjen e agresorëve dhe kthimin e të burgosurve të arratisur.

Një zëdhënës i lëvizjes separatiste të Popullit Indigjen të Biafra-s i tha agjencisë së lajmeve AFP se akuzat që ata fshihen pas sulmit të së hënës qenë “gënjeshtra”.

Shteti Imo ka qenë prej kohësh një terren i grupeve separatiste, ndërsa marrëdhëniet midis qeverisë qendrore dhe popullsisë indigjene Igbo, janë të tensionuara.

Që nga janari, disa stacione policie dhe automjete në të gjithë Nigerinë juglindore janë sulmuar dhe sasi të mëdha municionesh janë vjedhur. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore