Lajme

Ngritët aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e 18 vjeçarit në Podujevë


Foto: Ilustrim nga arkivi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarve të mitur për vrasjen e 18 vjeçarit, Lulzim Fejzullahu, në Podujevë.

Dy të dyshuarit janë të ngarkuar me veprën penale “vrasje e rëndë”, lajmin se ndaj të njejtëve është ngritur aktakuzë, e ka konfirmuar avokati i familjes Fejzullahu, Tomë Gashi.

Deri më tani, dy të akuzuarit kanë qëndruar në paraburgim.

Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje”, nga ana e tyre ishte konfirmuar masa e paraburgimit për të dyshuarit.

Dy të miturit para prokurorit të rastit ishin mbrojtur në heshtje.

Albanian Post ka drejtuar pyetje edhe tek Prokuroria Themelore në Prishtinë për ngritjen e aktakuzës ndaj dy të miturve, por deri në publikimin e këtij lajmi s’ka pranuar përgjigje.

Çka ndodhi?

Për rrahjen që i është bërë Lulzim Fejzullahut, Policia e Kosovës kishte arrestuar dy persona të cilët janë dërguar në mbajtje si vijimësi e procesit hetimor.

Ata fillimisht dyshoheshin për veprën penale “Vrasje në tentavitë”, ndërkaq pasi ai vdiq, të dyshuarit ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Sot nga zyrtarët e QKUK-së në Prishtinë, policia ka pranuar konfirmimin se L.F, mashkull, 18 vjeç, i cili ishte duke u trajtuar në njësinë e mjekimit intensiv ka ndërruar jetë. Në hetimin penal, që njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës po kryente në drejtim të veprës penale “Vrasja në tentativë” përkitazi me rastin e ndodhur më 14.01.2024, në rrugën  “Drenica” në Podujevë, i njëjti ka qenë viktimë”.

“Ndërlidhur me ngjarjen po në të njëjtën ditë policia ka arrestuar dy persona të dyshuar të cilët janë dërguar në mbajtje si vijimësi e procesit hetimor. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ishte thënë nga policia.

Në përputhje me rrethanat e reja, policia me autorizimin e prokurorit të shtetit, ka ricilësuar veprën penale që po hetohej deri tani dhe ka orientuar hetimin në drejtim të veprës penale “Vrasje e Rëndë”.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), kishte bërë të ditur se është iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës që ndryshoi raportin për rastin 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu dhe rasti do të procedohet në drejtorinë përgjegjëse për hetime disiplinore brenda Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore