Lajme

IPK-ja nis procedurë disiplinore ndaj zyrtarit që ndryshoi raportin për rastin e 18-vjeçarit në Podujevë


Inspektorati Policor i Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka bërë të ditur se është iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës që ndryshoi raportin për rastin 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu, i cili u vra nga dy të mitur në Podujevë dhe rasti do të procedohet në drejtorinë përgjegjëse për hetime disiplinore brenda Policisë së Kosovës.

“Duke vlerësuar ndjeshmërinë e rastit dhe paqartësitë që ka krijuar ky lëshim në publikimin e raportit 24 orësh, IPK ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës dhe do të procedohet në Drejtorinë përgjegjëse për hetime displinore brenda Policisë së Kosovës”.

Në raport, thuhet se IPK ka konstatuar se ka pasur mospërputhje mes raportit të shpejtë që është dërguar nga Stacioni Policor Podujevë në Qendrën Operative Komunikuese Rajonale në Prishtinë dhe raportit të shpejtë të cilin kjo Qendër e ka përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

“Nga analiza dhe krahasimi rezulton se këto raporte nuk kanë përmbajtje të njëjtë. IPK ka gjetur se dosja hetimore e rastit 2024-AF-0039 përmban raportin e shpejtë të përpiluar nga Stacioni Policor Podujevë, raport i cili ka përshkrimin e ngjarjes sipas fakteve dhe provave të gjetura në vendin e ngjarjes”.

“Me këtë rast, IPK ka konstatuar se ka pasur mospërputhje mes raportit të shpejtë që është dërguar nga Stacioni Policor Podujevë në Qendrën Operative Komunikuese Rajonale në Prishtinë dhe raportit të shpejtë të cilin kjo Qendër e ka përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë”, thuhet në komunikatë. 

Për vrasjen e 18 vjeçarit në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, të 15 janarit thuhej se janë, “arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therë me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”.

Çka ndodhi?

Për rrahjen që i është bërë Lulzim Fejzullahut, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të cilët janë dërguar në mbajtje si vijimësi e procesit hetimor.

Ata fillimisht dyshoheshin për veprën penale “Vrasje në tentavitë”, ndërkaq pasi ai vdiq, të dyshuarit ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Sot nga zyrtarët e QKUK-së në Prishtinë, policia ka pranuar konfirmimin se L.F, mashkull, 18 vjeç, i cili ishte duke u trajtuar në njësinë e mjekimit intensiv ka ndërruar jetë. Në hetimin penal, që njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës po kryente në drejtim të veprës penale “Vrasja në tentativë” përkitazi me rastin e ndodhur më 14.01.2024, në rrugën  “Drenica” në Podujevë, i njëjti ka qenë viktimë”.

“Ndërlidhur me ngjarjen po në të njëjtën ditë policia ka arrestuar dy persona të dyshuar të cilët janë dërguar në mbajtje si vijimësi e procesit hetimor. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore”.

Në përputhje me rrethanat e reja, policia me autorizimin e prokurorit të shtetit, ka ricilësuar veprën penale që po hetohej deri tani dhe ka orientuar hetimin në drejtim të veprës penale “Vrasje e Rëndë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore