Lajme

Ngritët aktakuzë ndaj dy personave, i shkaktuan dëm buxhetit një milionë euro


Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuza ndaj dy personave pasi që dyshohet se kanë kryer veprën penale “Mashtrim dhe subvencione”, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej një milionë euro.

Përmes një komunikate për media nga Prokuroria është sqaruar se kjo është bërë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, në cilësinë e pronarit të kompanisë, duke paraqitur të dhëna të pa sakta në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

“Duke falsifikuar dokumentacionin kinse ka lidhur kontrata me disa persona dhe me të njëjtat ka aplikuar për projektin “Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore”, me ç’ rast ka përfituar grantin në vlerë totale të projektit të financimit 398.810.00 €”, thuhet në komunikatë.

Të njëjtit kishin paraqitur të dhëna të pa sakta në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

“Përmes hartimit të dokumentacionit të falsifikuar për plotësim të kritereve dhe poentim sa më të lartë, më konkretisht falsifikimit të kontratave kinse për furnizim të lëndës së parë, ashtu që me të njëjtat kanë aplikuar për përfitimin e grantëve për projektin ”Përpunimi i pemëve dhe perimeve’’ dhe mbi bazën e dokumenteve fiktive kanë arritur ta përfitojnë shumën prej 398,184.00 €”.

“Ndërsa, gjatë vitit 2020, dy të pandehurit, me veprime të ngjashme kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme grantin në shumën prej 399,996.00€”.

Për këto vepra është thënë se Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë.

Po ashtu, ka propozuar që të konfiskohet nga të pandehurit dobia pasurore e fituar nga vepra penale për kompensimin e dëmit të shkaktuar buxhetit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore