Shqipëria

Ngjitja e pavarësisë


Astrit Krasniqi, Fadil Sahiti, Nexhat Palushi valvojnë flamurin e Shqipërisë në Majën e Bistrës.

110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë tre alpinistët nga Kosova, Astrit Krasniqi, Fadil Sahiti dhe Nexhat Palushi vendosen ta kremtonin në një mënyrë krejtësisht të veçantë.

Kësaj radhe flamuri i Shqipërisë valoi në majën e Bistrës me lartësi prej 2 mijë e 651 metra.

Në një intervistë për Albanian Post, Palushi thotë se aktivitete të ngjashme realizojnë çdo herë për ditët që janë më festive.

“Ne jemi një grup i vogël shokësh, zakonisht kur bëjmë ngjitje e marrim një flamur me veti. E kemi për shembull një flamur më të vogël të cilin çdo herë e hapim në majën në të cilën jemi, e kemi si princip”.

“Por, zakonisht në festat kombëtare, në këtë rast të 28 nëntorit dhe 17 shkurtit i marrim flamujt më të mëdhenj komform festave”, thotë ai për AP.

Astrit Krasniqi, Fadil Sahiti, Nexhat Palushi valvojnë flamurin e Shqipërisë në Majën e Bistrës.

Përzgjedhja e kësaj maje përveç se ka qenë e planifikuar është bërë edhe për arsyeje të veçanta.

“Të dielën e kishim të planifikuar që flamurin e Shqipërisë, ta ngrisim në Majën e Bistrës”.

“E zgjodhëm këtë maje për arsyeje se është pika kufitare mes Kosovës, Maqedonisë dhe Bjeshkët e Sharrit për t’u uruar të gjithë shqiptarët për festën e 28 nëntorit kudo që janë për shumë mot”, deklaron ai për AP.

Flamuri i Kosovës dhe Shqipërisë në Majën e Bistrës.
Histori

Por për t’u kthyer në histori, çfarë ndodhi më 28 nëntor shumë vite më parë?

Ishte data 28 nëntor 1443 kur heroi shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vendosi të braktisë ushtrinë turke dhe të luftojë për çlirimin e atdheut të tij.

I lindur në Krujë dhe i biri i një udhëheqësi që u rebelua kundër Perandorisë Osmane, ai u mor me forcë nga familja, bashkë me vëllezërit e tij, kur ishte ende fëmijë.

I rritur dhe i stërvitur në ushtrinë turke, ai luftoi dhe fitoi disa beteja pavarësisht se vazhdoi të ëndërronte të kthehej në vendlindje.

Dhe kështu ishte; i shoqëruar nga 300 burra besnikë të tij, ai braktisi turqit dhe u rreshtua kundër tyre, duke rimarrë në radhë të parë Krujën dhe më pas territore të tjera në emër të Shqipërisë.

Por dominimi turk zgjati për një kohë të gjatë, derisa në vitin 1912, në të njëjtën ditë, më në fund u shpall pavarësia nga Perandoria Osmane pas fitores së luftës së parë ballkanike ku u përfshi edhe Mali i Zi, Greqia, Serbia dhe Bullgaria.

Në këtë 28 nëntor, Ismail Qemal ngriti flamurin shqiptar në një ballkon në Vlorë dhe u shpall kryeministër.

Shqipëria më në fund u lirua dhe u shpall shtet i pavarur, por duke humbur një pjesë të mirë të territoreve që iu aneksuan shteteve fqinje.

110 vite shtet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore