Shqipëria

110 vite shtet


Shqipëria feston të hënën e 28 nëntorit ditën më të rëndësishme të krijimit dhe themelimit si shtet, 110-vjetorin e Pavarësisë.

Me traditën e shqiptarëve për të varur flamurin kombëtar në dritaret apo ballkonet e tyre, këtë vit rrugët e Tiranës do të zgjohen edhe me flamujt e Kosovës.

Kjo, pasi aktivitetet e kulturës Shqipëri – Kosovë kanë pikënisur prej datës 21 nëntor dhe do të kulmojnë në mbrëmje me koncertin e Dua Lipës, në sheshin “Skënderbej”.

Në shënim të përvjetorit të festës kombëtare të 28 nëntorit, është paralajmëruar se do të mbahen edhe aktivitete të tjera kulturore.

Një larmishmëri aktivitetesh artistike, letrare, kinematografike dhe pa dyshim edhe patriotike do të dominojnë gjatë kësaj dite.

Qeveria shqiptare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar shqiptarët për 110-vjetorin e Ditës së Pavarësisë krah “qytetares më të re shqiptare”.

“Me qytetaren më të re të Shqipërisë, ju uroj të gjithëve gëzuar përvjetorin e 110 të Flamurit të Pavarësisë, në këtë ditë të bekuar të kombit tonë që do të mbyllet me Duan në Sheshin Skënderbej”, shkruan Rama duke publikuar fotot me Dua Lipën.

Kryeparlamentarja shqiptare Lindita Nikolla deklaroi në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë se kjo ditë u themelua nga patriotët shqiptarë, të udhëhequr nga Ismail Qemali.

“Formimi i shtetit shqiptar ishte rezultat i luftrave të popullit shqiptar për t’u shkëputur nga perandoria osmane. Ishin këto luftra e këto përpjekje që, me mbështetjen e Fuqive të Mëdha të kohës, mundësuan njohjen, përcaktuan statusin politik, kuadrin juridik dhe kufijtë shtetërorë të Shqipërisë së pavarur”, theksoi Nikolla.

Sipas saj, historia nuk është vetëm rrëfim e arkiva, por edhe një shkollë atdhedashurie, përkushtimi e kontributesh për t’i shërbyer kombit, në misionin dhe qëllimet që shtron koha.

Shqipëria, kujton ajo, është sot anëtare e NATO-s, në një fazë të re të rrugëtimit evropian dhe qëndron denjësisht në krah të partnerëve strategjikë, SHBA dhe BE.

Nikolla kujtoi gjithashtu se në 6 dhjetor Tirana do të jetë kryeqyteti politik i Evropës, ku udhëheqësit e së cilës do të diskutojnë sfidat e integrimit, zhvillimit, sigurisë dhe paqes.

Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi se 110-vjetori i Pavarësisë është një moment krenarie dhe reflektimi.

“Gëzuar 110-të vjetorin e Pavarësisë Shqipëri!”, shkruan fillimisht kryediplomatja.

Sipas saj, ky është një moment krenarie, por edhe një moment për të reflektuar mbi arritjet dhe punën që do duhet çuar përpara.

“Edhe ky 28 nëntor njësoj si 28 nëntori i 110 viteve më parë kur shqiptarët triumfuan në luftën e tyre për pavarësi e gjen kombin dhe vendin tonë në anën e drejtë të historisë”, theksoi zyrtarja shqiptare në urimin e saj.

Opozita

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka uruar Ditën e Flamurit përmes një video në platformën TikTok.

“Gëzuar Ditën e Flamurit, ditën e pavarësisë së Shqipërisë. Dua të shpreh nderimin tim më të thellë për Ismail Qemalin dhe për të gjithë ata burra dhe gra që sakrifikuan me jetë, me penë dhe me të gjitha format bënë të mundur pavarësinë e këtij vendi”.

Sipas tij, Pavarësia e Shqipërisë është festa e të gjitha festave të shqiptarëve.

Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar 110-vjetorin e Ditës së Pavarësisë duke kujtuar tre figura historike.

“Sot në Ditën e Flamurit Kombëtar, përulemi me nderim para veprës së ndritur të Ismail Qemalit dhe Etërve të Pavarësisë, që 110 vjet më parë themeluan shtetin modern duke patur për ideal të shenjtë vetëm Atdheun dhe fatet e Tij”, shkruan fillimisht kreu i Partisë së Lirisë.

Sipas tij, patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhen të jenë në çdo kohë pishtari që na ndriçon mendjet dhe udhën e duhur ku duhet të ecim.

Kjo, për të mbrojtur Shqipërinë nga çdo rrezik i ri dhe për ta bërë këtë tokë të bekuar sa më të begatë, ku sot e mot të gjithë shqiptarët dhe fëmijët e tyre të jetojnë me dinjitet dhe krenari.

“Lavdi përjetë 28 Nëntorit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit!”, theksoi Meta në përmbyllje të urimit.

SHBA

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken ka uruar popullin shqiptar në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për 110-vjetorin e Pavarësisë.

Sipas tij, ky urim përkon me 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe partneritetin e gjerë e të fortë që është ndërtuar së bashku.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të nderuara të punojnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa ju vazhdoni të jepni kontribute të fuqishme në skenën globale”, shkruan fillimisht zyrtari i lartë amerikan.

Blinken thekson se Shqipëria ka treguar lidership dhe guxim duke mbështetur Ukrainën dhe duke ndriçuar veprimet e aktorëve keqdashës në Evropë dhe në mbarë botën.

Për SHBA-të, kontributet e çmuara të Shqipërisë si një aleate e NATO-s ndihmojnë në mbajtjen e Aleancës të fortë, të përgatitur dhe të vendosur.

“Shtetet e Bashkuara”, shtoi Blinken, “falënderojnë gjithashtu Shqipërinë për partneritetin dhe mbështetjen e saj në zhvendosjen e afganëve”.

Ai garantoi se administrata Biden do të mbetet e përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj transatlantike.

“Së bashku, ne po punojmë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të siguruar energji duke avancuar agjendën tonë të përbashkët të klimës për Evropën dhe për të forcuar mbrojtjen kibernetike”, ravijëzoi sekretari amerikan.

Në përmbyllje, Antony Blinken shkruan se me nisjen e shekullit të ardhshëm të marrëdhënieve mes shteteve, SHBA-të janë krenare që qëndrojnë krah për krah me popullin shqiptar.

Ndërkombëtarët

Urimi i parë drejtuar presidentit shqiptar Bajram Begaj ka mbërritur nga Sulltani i Oman-it, Haitham bin Tarik.

Në kabllogram, sulltani shprehu ndjenjat e tij të sinqerta dhe urimet më të mira për shëndet dhe lumturi Presidentit Begaj.

Madhëria e tij gjithashtu i uroi popullit të Shqipërisë përparim dhe prosperitet të mëtejshëm.

Princi i Kurorës Mohammed bin Salman bin Abdulaziz Al Saud, i ka dërguar një kabllogram urimi presidentit Begaj në përvjetorin e Ditës së Pavarësisë.

Në kabllogramin e tij, princi saudit shprehu urimet e tij më të mira dhe i uroi presidentit shëndet dhe lumturi të vazhdueshme dhe qeverisë dhe popullit të Republikës së Shqipërisë përparim e prosperitet të qëndrueshëm.

Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani, Emir i Katarit i dërgoi një kabllogram urimi gjithashtu Presidentit të Republikës së Shqipërisë për përvjetorin e Ditës së Pavarësisë.

Kryeparlamentari i Pakistanit sakaq i shprehu urimet e përzemërta homologes së tij shqiptare Lindita Nikolla dhe popullit të Shqipërisë në Ditën e Pavarësisë.

Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Presidenti i Dubai-t, i dërgoi një kabllogram urimi presidentit Begaj, me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Ndërsa kryeministri i Dubai-t, Rashid Al Maktoum i dërgoi një kabllogram të ngjashëm urimi kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Urimet për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë nuk kanë munguar as nga Ministria e Jashtme e Ukrainës.

Diplomacia ukrainase ka uruar “popullin mik të Shqipërisë”, duke i shprehur mirënjohjen për qëndrimin e vendit tonë gjatë luftës.

“Urime për diplomacinë shqiptare dhe popullin mik të Shqipërisë me rastin e Ditës së Pavarësisë! Ne jemi mirënjohës që qëndruat pranë Ukrainës gjatë kohës më sfiduese dhe po bëjmë përpjekje për paqen dhe sigurinë brenda nivelit të KS të OKB-së dhe dypalësh! Urimet më të mira për mirësi dhe prosperitet!”, shkruan diplomacia ukrainase në urimin e saj.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier i ka shprehur urimet e tij presidentit Begaj me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Steinmeier deklaroi se Shqipëria ka bërë një hap historik drejt Bashkimit Evropian përmes nisjes së bisedimeve të anëtarësimit dhe se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen në këtë rrugëtim.

Urime kanë ardhur edhe nga faqja zyrtare e Izrael-it në Twitter.

“E dashur Shqipëri. Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Sinqerisht i juaji, Izraeli”.

Greqia uroi dhe shprehu urimet më të mira për popullin dhe qeverinë shqiptarë, të ciën e ka aleat në NATO.

“Urime Festa e Flamurit dhe Pavarësisë së Partnerit tonë Strategjik dhe mikut Shqipëri”, shkruan diplomacia turke.

Ambasadorët

“Urime 110 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë!”.

Ky ishte urimi i ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila shpërndau urimin e sekretarit amerikan Antony Blinken.

Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann ka uruar shqiptarët për 110-vjetorin e Ditës së Pavarësisë.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri”, shkruan fillimisht diplomatja gjermane.

Sipas saj, tani që Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, ambasada mbetet plotësisht e përkushtuar.

Kjo, për të mbështetur vendin që ta bëjë realitet ëndrrën e popullit shqiptar.

“Dita e Pavarësisë dhe Çlirimit është një rast për të festuar të gjithë ata që duan Shqipërinë”, shkruan ambasadori britanik, Alastair King Smith.

Diplomati tha se ky vit kishte qenë i veçantë edhe për të personalisht, duke shtuar se kishte arritur të zbulonte pasuritë e mrekullueshme të vendit tonë.

“Një nga gëzimet e eksplorimit të këtij vendi të bukur është se si secili prej nesh mëson për historinë e tij të pasur dhe kulturën e larmishme. Sot ju uroj shqiptarëve një fundjavë të mrekullueshme të gjatë festive!”, shkruan ai.

Festimet

Këtë moment festiv do ta përjetojë të hënën e 28 nëntorit edhe komuniteti shqipfolës i San Cosmo Albanese në Itali dhe më gjerë.

Në fakt, në orën 18.30 është planifikuar një autokolonë e cila do të shkojë në Vaccarizzo Albanese me flamurin e Shqipërisë dhe më pas do të kthehet.

Mbrëmjen e të shtunës, Klubi Futbollistik “Iliria” në kantonin zviceran Solothurn organizoi një program artistik, me këngë e valle të ndryshme të përgatitura për festën kombëtare.

Në këtë manifestim morën pjesë disa qindra vetë, që kishin ardhur për të kremtuar së bashku.

Aktivitetet festive të cilat kremtojnë Ditën e Flamurit Kombëtar dhe 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë kanë kaluar edhe oqeanin.

Në bashkinë e Ottawa-s, kryeqytetit të Kanadasë, është mbajtur një ceremoni solemne për ngritjen e flamurit kombëtar kuq e zi.

Lajmi u bë i ditur nga ambasadori shqiptar në Kanada, Ermal Muça.

“Nder dhe krenari ngritja e flamurit kombëtar të Shqipërisë në Bashkinë e Otavës, Kanada, për nder të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë!”, shkruan diplomati shqiptar.

Sipari i aktiviteteve të 110-vjetorit të Pavarësisë në Vlorë u çel të shtunën me një panair me produkte ushqimore dhe artizanale vendase.

Panairi u organizua nga Unioni Turistik për të promovuar vlerat më të mira artizanale dhe të kulinarisë të qytetit bregdetar.

Panairi do të qëndrojë i hapur deri më 29 nëntor.

Gjatë mesditës pritet të zhvillohet edhe ceremonia e ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vlorë, me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë.

Histori

Por për t’u kthyer në histori, çfarë ndodhi më 28 nëntor shumë vite më parë?

Ishte data 28 nëntor 1443 kur heroi shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vendosi të braktisë ushtrinë turke dhe të luftojë për çlirimin e atdheut të tij.

I lindur në Krujë dhe i biri i një udhëheqësi që u rebelua kundër Perandorisë Osmane, ai u mor me forcë nga familja, bashkë me vëllezërit e tij, kur ishte ende fëmijë.

I rritur dhe i stërvitur në ushtrinë turke, ai luftoi dhe fitoi disa beteja pavarësisht se vazhdoi të ëndërronte të kthehej në vendlindje.

Dhe kështu ishte; i shoqëruar nga 300 burra besnikë të tij, ai braktisi turqit dhe u rreshtua kundër tyre, duke rimarrë në radhë të parë Krujën dhe më pas territore të tjera në emër të Shqipërisë.

Por dominimi turk zgjati për një kohë të gjatë, derisa në vitin 1912, në të njëjtën ditë, më në fund u shpall pavarësia nga Perandoria Osmane pas fitores së luftës së parë ballkanike ku u përfshi edhe Mali i Zi, Greqia, Serbia dhe Bullgaria.

Në këtë 28 nëntor, Ismail Qemal ngriti flamurin shqiptar në një ballkon në Vlorë dhe u shpall kryeministër.

Shqipëria më në fund u lirua dhe u shpall shtet i pavarur, por duke humbur një pjesë të mirë të territoreve që iu aneksuan shteteve fqinje.

28 nëntori – Dita e shqiptarisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore